Nga Erion Sqapi
AF Elbasani e mbylli “Final 4” me një fitore të madhe 2-1 ndaj Vllaznisë, por që në fund nuk mjaftoi për të dalë kampion, pasi Egnatia fitoi 2-0 ndaj Dinamos dhe ruajti kreun.
Sigurisht që mbetet keqardhja, sepse titulli ishte shumë pranë. Por mbi të gjitha duhet të mbetet krenaria për atë që kjo skuadër arriti gjatë gjithë sezonit.
Pak njerëz e mendonin në fillim të kampionatit se një klub kaq i ri do të arrinte deri këtu, duke luftuar për titull deri në javën e fundit dhe duke siguruar pjesëmarrjen në Europë.
Dhe kjo nuk është pak.
Përballë Vllaznisë u pa një Elbasan me karakter, krenari dhe reagim. Pikërisht ajo që tifozët kishin kërkuar pas humbjes ndaj Egnatias. Skuadra luftoi, reagoi dhe tregoi se e meritonte të ishte pjesë e kësaj gare deri në fund.
Natyrisht, mbeten edhe disa pengje. Humbjet ndaj Bylisit dhe Tiranës ndikuan shumë në ritmin psikologjik dhe sportiv të ekipit. Pikërisht aty u humb një pjesë e avantazhit dhe qetësisë që duhej në “Final 4”.
Por futbolli është edhe mësim.
Ky sezon tregoi se Elbasani ka ndërtuar diçka serioze. Presidenca dhe drejtuesit kanë bërë një punë të madhe me shumë sakrificë, në një realitet ku investimi në futboll shqiptar është i vështirë dhe shpesh pa kthim ekonomik.
Edhe tifozëria tregoi nivel të lartë gjatë gjithë sezonit. Mbështetja, atmosfera dhe prania e tyre i dhanë skuadrës identitet dhe forcë në momentet më të rëndësishme.
Dhe ndoshta ky është fitimi më i madh: rikthimi i entuziazmit dhe i besimit te futbolli në Elbasan.
Tani vjen Europa.
Një tjetër sfidë, një tjetër nivel dhe një mundësi e madhe për klubin dhe qytetin. Jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për prestigjin dhe emrin që Elbasani do të përfaqësojë jashtë Shqipërisë.
Sepse titujt mund të humben në detaje.
Por projektet serioze ndërtohen me kohë.
Dhe ky Elbasan tregoi se ka të ardhme.

