Dokumentacionet e pronësisë në Palasë, Kadastra nis nga nesër kontrollin derë më derë

TIRANË, 08 shtator 2026 /Albania Express News/- Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar nisjen e një procedure të re për trajtimin e banesave që nuk disponojnë dokumentacion pronësie.

Procesi do të nisë nga dita e nesërme në Palasë, ku ekipe të posaçme të Kadastrës do të qëndrojnë për një javë, duke kryer verifikime drejtpërdrejt në terren.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, deklaroi se specialistët do të kryejnë kontrolle derë më derë në banesat e zonës, pavarësisht nëse pronarët kanë paraqitur më herët një aplikim pranë Kadastrës apo jo.

“Kadastra do të trajtojë banesat pa dokumentacion pronësie me një qasje tjetër. Përmes ekipeve të dedikuara e të lëvizshme, ne do të vijmë në fshatin tuaj në mënyrë të organizuar. E thënë ndryshe, Kadastra shkon derë më derë”, u shpreh Goxhobelli.

Sipas saj, ekipet do të kryejnë matjet në terren, do të verifikojnë të dhënat dhe do të saktësojnë dokumentacionin e pronësisë. Për rastet që plotësojnë kriteret ligjore, do të merret vendimi përkatës, i cili do t’i përcillet qytetarit përmes platformës e-Albania.

Një element i rëndësishëm i procesit do të jetë edhe qëndrimi i vazhdueshëm i ekipeve në zonën ku po kryhen verifikimet. Kjo do t’u mundësojë banorëve të komunikojnë drejtpërdrejt me specialistët dhe të marrin informacion mbi fazën në të cilën ndodhet çështja e tyre.

Kadastra ka bërë të ditur se procesi do të jetë transparent edhe pas përfundimit të punës në çdo zonë. Agjencia do të publikojë statusin e banesave të trajtuara, duke evidentuar rastet që janë pajisur me vendim, ato që kërkojnë plotësimin e dosjes me dokumente shtesë që institucioni nuk mund t’i sigurojë vetë, siç është dëshmia e trashëgimisë, si dhe rastet kur ekipet nuk kanë mundur të aksesojnë banesën.

Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi të informohen për statusin e çështjes së tyre dhe për hapat që duhet të ndjekin më tej.

Pas Palasës, nisma pritet të vijojë edhe në fshatra të tjerë në të gjithë vendin, me synim trajtimin e rasteve të banesave që nuk disponojnë dokumentacion të rregullt pronësie.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës u ka bërë thirrje banorëve të Palasës të bashkëpunojnë me ekipet në terren, të informojnë familjarët, të afërmit dhe fqinjët, si dhe të sigurohen që gjatë vizitës së specialistëve të ketë një person në banesë për t’i pritur dhe për të mundësuar kryerjen e verifikimeve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Marjana Koçeku largohet nga grupi i PS-së, ndryshon vendin në Kuvend dhe ulet pas deputetëve të PD-së

TIRANË, 8 shtator 2026 /Albania Express News/ – Pas...

Përplasje dhe shoqërime gjatë protestës jashtë Parlamentit, në pranga edhe Adriatik Lapaj

TIRANË, 08 shtator 2026 /Albania Express News/ – Nisja...

Protestuesit bllokojnë rrugët në kryeqytet, policia tenton t’i largojë, shoqërohen disa tubues

TIRANË, 08 shtator 2026 /Albania Express News/ – Tensionet...

Mbyllet seanca plenare, vijojnë tensionet jashtë Kuvendit: shoqërohen disa protestues, mes tyre Adriatik Lapaj

TIRANË, 08 shtator 2026 /Albania Express News/- Seanca e...