ELBASAN ,19 qershor 2026/Albania Express News /Një atmosferë krejt e veçantë ka shoqëruar mëngjesin e sotëm në shkollën 9-vjeçare Shkolla “Abdyl Paralloi”, ku nxënësit e klasave të IX-ta iu nënshtruan provimit të parë zyrtar, atij të Gjuhës Shqipe.
Ndryshe nga pritja tradicionale, stafi pedagogjik kishte menduar një mënyrë origjinale për të ulur emocionet dhe stresin e nxënësve. Në ambientet e shkollës u organizua një panair i vogël motivues, ku nuk munguan mesazhet inkurajuese, fjalët e mira dhe urimet për sukses.
Nisma u prit me entuziazëm nga nxënësit, të cilët para hyrjes në provim u përballën me një atmosferë pozitive dhe mbështetëse. Mesazhet e afishuara synonin t’u kujtonin atyre se besimi në vetvete, përkushtimi dhe qetësia janë çelësat e rezultateve të mira.
Ky gjest i veçantë dëshmoi edhe një herë se shkolla nuk është vetëm vendi ku zhvillohen mësimet dhe provimet, por edhe një mjedis që kujdeset për mirëqenien emocionale të nxënësve në momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tyre arsimor.
Me buzëqeshje, emocione dhe shumë optimizëm, maturantët e vegjël të klasave të IX-ta nisën sfidën e tyre të parë zyrtare, ndërsa urimi i përbashkët i mësuesve dhe prindërve mbetet i njëjtë: suksese dhe rezultate sa më të shkëlqyera!


