TIRANË , 16 nëntor 2026/Albania Express News/-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në burgun e Durrsësit pasi bëhet me dije se i burgosuri i identifikuar si Muharrem Bugjisha ka plagosur me thikë të dënuarin Ilir Biba.
Plagosja brenda burgut është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, e cila bën me dije se u bë i mundur arrestimi në flagrancë i të burgosurit Muharrem Bugjisha. Ndërsa thuhetse ndaj tij janë shtuar akuzat për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale”, të parashikuara nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.
Ndërkaq, gjendja shëndetësore e Ilir Bibës nuk është bërë e qartë akoma, por pritet që të kemi detaje të reja në vijim.
Autori i dyshuar i ngjarjes, Muharrem Bugjisha rezulton të jetë i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të dyfishtë, të dy vëllezërve Batusha.
Në korrik të vitit 2014, Muharrem Bugjisha vrau me armë zjarri (pistoletë) dy vëllezërit Emri dhe Bilbil Batusha, si dhe plagosi një 16-vjeçar, pas një konflikti për çështje kromi në Kukës. Ai u arrestua në janar të vitit 2015 në Laç dhe më vonë u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kukësit.
Edhe pse ndaj tij është vulosur burgim i përjetshëm, së fundmi emri i tij është lakuar për plagosje me dashje çka do i shtojë atij akuzat. Nga ana tjetër AMP bën me dije se po kryhen verifikimet e mëtejshme për punonjësit e kësaj IEVP-je të përfshirë në paligjshmëri, duke qenë se plagosja ndodhi me mjet prerës.
“Në datën 15.11.2026, në IEVP Durrës, nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit të burgosur M. B., pasi gjatë një konflikti ka goditur me anë të një mjeti prerës shtetasin e burgosur I.B
Nga AMSEVP dërgohen materialet procedurale për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në ngarkim të shtetasit të burgosur M. B. për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale”, të parashikuara nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.
Nga AMSEVP po kryhen verifikimet e mëtejshme për punonjësit e kësaj IEVP-je të përfshirë në paligjshmëri”njofton AMP.

