Një talent i ri shqiptar po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen në futbollin italian. Bëhet fjalë për Alen Vukajn, futbollistin e talentuar që po spikat me paraqitjet e tij në ekipet e moshave të Interit dhe që konsiderohet një prej lojtarëve më premtues të brezit të tij.
Ajo që e bën Vukajn të veçantë është aftësia e jashtëzakonshme në lojën një kundër një. Driblimet, shpejtësia në manovrim, kontrolli i topit dhe fantazia në veprimet individuale janë disa prej cilësive që e dallojnë nga bashkëmoshatarët.
Me një stil loje që të kujton futbollin spektakolar të rrugës, Vukaj arrin të kapërcejë kundërshtarët me lëvizje teknike, ndryshime të menjëhershme drejtimi dhe veprime që kërkojnë jo vetëm talent, por edhe vetëbesim të madh.
Për nga profili teknik, ai është krahasuar me Edon Zhegrovën, veçanërisht për aftësinë për të krijuar epërsi në duelet individuale, duke qenë një futbollist që mund të bëjë diferencën në fazën sulmuese.
Maran e ndjek nga afër, mundësi për Shqipërinë U-19
Interes të veçantë për talentin e tij ka shfaqur edhe stafi teknik i përfaqësueses shqiptare U-19. Trajneri i kësaj grupmoshe ka konfirmuar se Alen Vukaj po ndiqet nga afër nga trajneri Maran, çka e bën gjithnjë e më konkrete mundësinë që futbollisti të jetë pjesë e planeve të Kombëtares në ndeshjet e ardhshme.
Një zhvillim që ngjall optimizëm për të ardhmen e futbollit shqiptar, pasi Shqipëria vazhdon të zbulojë talente të rinj që po formohen në akademitë prestigjioze europiane.
Alen Vukaj është një emër që meriton vëmendje. Rruga drejt futbollit profesionist është ende e gjatë, por cilësitë teknike dhe potenciali i tij japin arsye për optimizëm.
Shqipëria duket se ka në horizont një tjetër talent premtues. Tashmë, mbetet që ai të vazhdojë rritjen sportive dhe të shndërrojë potencialin në një realitet të madh futbollistik.
Një tjetër diamant shqiptar që mund të shkëlqejë me fanellën kuqezi!

