TIRANË ,19 qershor 2026/Albania Express News/Protesta që është duke u zhvilluar ka tërhequr vëmendjen e opinionit, mediave, si edhe të aktorëve politikë, si një ngjarje me dimension social e politik që po ndodh në një mjedis demokratik.
Si e drejtë kushtetuese, protestat marrin kuptim në çdo kohë, sepse shoqëria ka arsye gjithmonë për të protestuar, për të kërkuar zgjidhje sa më të mira e më të drejta për qytetarët. Shqipëria jonë e re, me përvojën e fituar përmes shumë vështirësive të tranzicionit dhe me mësimet nga e shkuara, na e bën më të lehtë deshifrimin e të vërtetave dhe të pavërtetave. Sigurisht, edhe me ndihmën e teknologjisë dixhitale, si mjet i dobishëm, por njëherazi shumë i rrezikshëm për shkak të algoritmeve pandemike që krijon. Viraliteti i tyre, në shumë raste, me apo pa ndihmën e inteligjencës artificiale, nxitet nga “dashamirës” dixhitalë, kombëtarë e të huaj.
Është fakt që vendi ynë nuk ka qenë asnjëherë sa sot në një pozitë më të lartësuar e më të faktorizuar ndërkombëtarisht. Kjo natyrshëm krijon pritshmëri të reja e të shtuara për qytetarët, jo vetëm në frymën e aspiratës për integrim formal në familjen e Bashkimit Europian, por edhe për mishërimin e standardeve që na ofrojnë siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ky moment historik nuk ka mbërritur rastësisht, por falë përpjekjeve të gjata e jo të thjeshta. Shqipëria nga kjo protestë nuk po humbet. Përkundrazi, po fiton kthjelltësinë për të tejkaluar paradokset e veta, dijen për të adresuar me përgjegjësi sfidat e kohës, seriozitetin për të vlerësuar fenomenet me sy kritik e reformues, fuqinë për të konsoliduar demokracinë dhe institucionet, kulturën për të korrigjuar sjelljen dhe etikën, reflektimin për të shmangur mllefet e pakuptimta, dhe kurajon për të parakaluar rrezikun e përsëritjes së gabimeve të së shkuarës.
Dialogu në shoqëritë e emancipuara nuk fillon kur qëndrimet kthehen në ultimatume, por kur vullneti qytetar e kthen energjinë sociale të akumuluar prej pakënaqësive në një raport të përmirësuar me shtetin, apo anasjellas. Nëse produkti i kësaj proteste është linçimi i shqiptarëve nga vetë shqiptarët, ajo e ka humbur tërësisht qëllimin e saj, sepse përçarjet nuk e ndihmojnë perspektivën moderne të vendit. Por nëse protesta e konsideron hapësirën e dialogut mes palëve në funksion të forcimit të pozitës ekonomike e turistike të Shqipërisë, qytetarët shëndosin, me këtë rast, edhe reputacionin e tyre në të ardhmen, si shenjë e maturisë kolektive në emër të progresit.
Progresi nuk mund të vijë nga cenimi i rregullave demokratike. Ato mbeten parime juridike e politike të pandryshueshme. Në këtë kuptim, të gjithë bashkërisht, brenda sistemit që kemi zgjedhur, mund ta mbrojmë të ardhmen nga hijet e së shkuarës, duke respektuar njëri-tjetrin dhe balancën demokratike, në çdo të tashme.

