TIRANË ,9 qershor 2026/Albania Express News/Në pesë komuna ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, derisa po vazhdon në 23 të tjera.
Ky proces, sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të përfundojë maksimalisht mesin e javës së ardhshme.
“Ne shpresojmë që me këtë tempo do të përfundojë numërimi deri kah fundi javës, eventualisht në mesin e javës tjetër”, shprehet Kreshnik Radoniqi, kryetar, KQZ.
KQZ njoftoi po ashtu se janë tërhequr të gjitha pakot e supozuara me fletëvotime nga diaspora e numri i tyre është mbi 100 mijë.
“Tërheqjet janë përfunduar, të gjitha dje, përveç në Australi që është bërë tërheqja sot, për shkak se atje dita e hënë ka qenë ditë pushimi. Numri i përafërt është diku rreth 85 mijë, bashkë me votat e përfaqësive diplomatike do të bëhen diku rreth 100 mijë vota”, shtoi ai.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se kontrolli i procesit të numërimit është më i rreptë kësaj here, për shkak të manipulimit në numërimin e votave të kandidatëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ndërkohë në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, për monitorim të procesit, të martën ishte edhe e ngarkuara me punë e Bashkimit Evropian, Eva Palatova dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonthan Hargreaves. Ky i fundit përcjelli një mesazh të qartë për partitë politike.
“Mesazhi është ai që ka qenë gjithmonë. Cilido që të jetë rezultati nga ky proces do të duhet bashkëpunim mes partive politike. Vendi ka një kushtetutë të fortë që ka shërbyer shumë mirë këto 18 vjetët e fundit dhe detyron politikanët të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe të bashkohen për të formuar institucionet dhe zgjedhin presidentin. Kjo shpresoj që do të ndodhë sapo të qartësohet rezultati.”, deklaroi Jonathan Hargreaves, ambasadori i MB në Kosovë.
Deri në mesditë janë numëruar rreth 30% e kutive dhe vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Partia Demokratike, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca. Sipas rezultatit, te Lëvizja Vetëvendosje, treshja më e votuar mbetet, Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu. Te PDK-ja, i pari me më shumë vota është Bedri Hamza që pasohet nga Përparim Gruda dhe Arian Tahiri.
Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më e votuara është Vjosa Osmani, që ndiqet nga Lumir Abdixhiku dhe Doarsa Kica – Xhelili. Të Aleanca, prin Ardian Gjini e pas tij janë Ramush e Daut Haradinaj.

