LIBRAZHD ,9 qershor 2026/Albania Express News/Një operacion i gjerë i shërbimit të kërkim-shpëtimit është vënë në lëvizje në Malësinë e Polisit të bashkisë së Librazhdit dhe në atë të Sopotit të bashkisë së Prrenjasit , pas raportimit për zhdukjen e dy turistëve gjermanë, të cilët kanë humbur kontaktet me grupin e tyre që prej mbrëmjes së djeshme.
Sipas informacioneve paraprake, turistët ishin pjesë e një grupi aventurierësh që po eksploronin zonat malore të Polisit me automjete off-road. Gjatë lëvizjes në terrenin e thyer dhe të vështirë, dy prej tyre janë shkëputur nga grupi dhe që nga ajo kohë nuk ka më asnjë kontakt me ta.
Menjëherë pas sinjalizimit të rastit, autoritetet vendore policia dhe strukturat e emergjencës kanë organizuar një operacion intensiv kërkimi në një nga zonat më të vështira malore të qarkut të Elbasanit. Vështirësitë e terrenit, pyjet e dendura, relievi i ashpër dhe mungesa e mbulimit me sinjal telefonik në pjesë të mëdha të Malit të Polisit dhe Sopotit po e bëjnë mjaft kompleks lokalizimin e turistëve.
Një rol të rëndësishëm në këtë operacion po luan ekipi i shërbimit të kërkim-shpëtimit malor, i drejtuar nga Artur Guni, i njohur për eksperiencën e tij në operacionet e emergjencës dhe ndërhyrjet në terrene të vështira malore. Ekipi i tij ka nisur kontrolle të detajuara në shtigjet ku dyshohet se kanë lëvizur turistët, duke përdorur njohuritë e terrenit dhe metodat profesionale të kërkimit në zonat alpine.
Burime nga terreni bëjnë me dije se grupet e kërkimit po kontrollojnë disa sektorë të Malësisë së Polisit dhe Sopotit , ndërsa po mblidhen edhe informacione shtesë nga anëtarët e tjerë të grupit të turistëve për të rindërtuar lëvizjet e fundit të dy shtetasve gjermanë.
Kontributi i ekipit të drejtuar nga Artur Guni po vlerësohet si mjaft i rëndësishëm në koordinimin e kërkimeve në terrene ku ndërhyrja kërkon përgatitje të specializuar, orientim të saktë dhe njohje të thellë të zonës.
Ndërkohë, familjarët dhe autoritetet shpresojnë që turistët të jenë strehuar në ndonjë zonë të sigurt dhe të mund të lokalizohen sa më shpejt. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon pa ndërprerje, ndërsa ekipet në terren po punojnë intensivisht për gjetjen e tyre dhe rikthimin e sigurt pranë grupit.Deri në orët e pasdites së martë edhe kërkimet policore me dron nuk kanë patur rezultat.


