IEVP Peqin mirëpret Administratorin Apostolik At’ Flavio Cavallini, theksohet rëndësia e mbështetjes shpirtërore për të burgosurit

PEQIN ,9 qetshor 2026/Albania Express News/Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin ka mirëpritur në një vizitë zyrtare Administratorin Apostolik të Shqipërisë së Jugut, At’ Flavio Cavallini, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me komunitetet fetare dhe mbështetjes së personave të privuar nga liria.

Sipas njoftimit të publikuar nga IEVP Peqin, gjatë takimit u diskutua mbi rolin që luan besimi dhe asistenca shpirtërore në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave që vuajnë dënimin, si dhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për krijimin e mundësive më të mira në shërbim të tyre.

Vizita u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, ku u vlerësua kontributi që komunitetet fetare japin në mbështetjen morale dhe shpirtërore të personave të privuar nga liria. Palët ndanë mendimin se përveç programeve rehabilituese, mbështetja shpirtërore mbetet një element i rëndësishëm në nxitjen e reflektimit personal dhe përgatitjen për rikthimin në shoqëri.

Në kuadër të kësaj vizite, At’ Flavio Cavallini kremtoi një meshë me personat e privuar nga liria, gjatë së cilës përcolli mesazhe shprese, paqeje, faljeje dhe solidariteti. Aktiviteti u prit pozitivisht nga pjesëmarrësit, duke u shndërruar në një moment reflektimi dhe inkurajimi për ta.

Drejtuesit e IEVP Peqin shprehën mirënjohjen për vizitën dhe angazhimin e At’ Flavio Cavallinit, duke vlerësuar kontributin e Kishës Katolike në mbështetjen shpirtërore të të burgosurve dhe në promovimin e vlerave humane që ndihmojnë procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME