Elitjona Doko, zëri i krenarisë së Skraparit në Durrës, emocionet e gazetares së A2 CNN në jubileun e 120-vjetorit të shoqatës “Tomorri” dhe nderimi i Hajri Nuhut në 65 vjetorin e lindjes me titullin “Qytetar Nderi” i Skraparit

DURRËS , 15 nëntor 2026/Albania Express News/-Me rastin e 120 vjetorit  të themelimit të shoqatës “Tomorri” dhe  jubileut të 25 vjetorit të degës së saj në Durrës si edhe nderimit të z. Hajri Nuhu me titullin “Qytetar Nderi i Skraparit” u organizuar nga komuniteti i skraparlijve një mbrëmje kushtuar traditës, identitetit dhe lidhjeve të pashkëputura me vendlindjen.

Mbrëmja e veçantë, e mbushur me emocione, kujtime dhe krenari për rrënjët e skraparlijve , u organizua  në Durrës  në GRAND BLUE  FAFA nën kujdesin e Presidentit të FAFA GROUP ,z.Fatos Çerenishti .Ky organizim perfekt me rastin e 120-vjetorit të shoqatës “Tomorri” dhe 25-vjetorit të krijimit të degës së saj në këtë qytet bëri bashkë  një pjesë të komunitetit të skraparlijve që jetojnë e punojnë në Durrës.

Në këtë aktivitet festiv dhe përkujtimor u bashkuan bashkëkrahinas të shumtë, personalitete të komunitetit, intelektualë dhe njerëz që, megjithëse kanë ndërtuar jetën e tyre larg vendlindjes, vazhdojnë të ruajnë lidhje të forta me Skraparin, traditat dhe identitetin e tij.

Një nga pjesëmarrëset në këtë mbrëmje ishte edhe gazetarja e A2 CNN, Elitjona Doko, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë emocionet dhe mbresat e saj nga kjo veprimtari.

Doko e cila ishte edhe moderatori e këtij eventi të rëndësishëm ka cilësuar këtë përjetim si një dëshmi të rëndësisë që ka vendlindja në jetën e çdo njeriu, duke theksuar se lidhjet me rrënjët nuk shkëputen, pavarësisht distancës dhe rrugëtimit që secili ndërton larg tyre.

Gjatë aktivitetit, gazetarja pati gjithashtu kënaqësinë të përcillte përshëndetjet dhe urimet e prof. dr. Ajli Alushanit dhe publicistit Zylyftar Hoxha për Hajri Nuhun, një personalitet i komunitetit skraparas, i cili u nderua nga Bashkia Skrapar me titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”.

Ky vlerësim përbën një moment të veçantë mirënjohjeje për kontributin e tij shumëvjeçar si mësues, krijues dhe njeri i përkushtuar ndaj komunitetit.

Për Elitjona Dokon, gazetare e A2 CNN për Qarkun e Durrësit ,ky nderim kishte edhe një domethënie personale, pasi bëhej fjalë për realizimin e një dëshire të hershme, të diskutuar ndër vite mes miqsh dhe bashkëkrahinasish: njohjen dhe vlerësimin publik të një njeriu që ka lënë gjurmë në jetën e komunitetit.

Në mesazhin e saj, gazetarja përcolli edhe urimet më të përzemërta për Hajri Nuhun, duke e cilësuar atë si një figurë që meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë atyre që e kanë njohur gjatë 65 viteve të rrugëtimit të tij jetësor.

Jubileu i dyfishtë i shoqatës “Tomorri” në Durrës dëshmoi edhe një herë se shoqatat e bashkëkrahinësisë luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditave, forcimin e solidaritetit dhe përcjelljen e vlerave kulturore e njerëzore ndër breza.

Sepse, siç shprehet edhe Elitjona Doko në mesazhin e saj: “Vendlindja është ajo pjesë e jona që e marrim me vete kudo ku jeta na çon…”

Një mesazh që përmbledh jo vetëm emocionet e një mbrëmjeje festive, por edhe lidhjen e përjetshme të njeriut me vendin ku ka rrënjët.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME