KOSOVË ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sërish nesër në orën 11:00.
Posti i presidentit është shkaktari i mosmarrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe takimi i së mërkurës mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, i mbajtur në orët e fundit të afatit për konstituimin e Kuvendit, përfundoi pa rezultat, raporton korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami.
Kryetari i Vetëvendosjes tha se rezultati zgjedhor nuk e lejon që postin e presidentit të ia ofrojë LDK-së, ku këta të fundit këtë post e kërkojnë për Vjosa Osmanin, e nga ana tjetër Vetëvendosja ofron vetëm ministri.
Albin Kurti tha se janë për një president konsensual, por sipas tij, nëse duhet partiak, duhet të jetë prej Lëvizjes Vetëvendosje.
Lumir Abdixhiku pas takimit tha se Lidhja Demokratike e do postin e presidentit për balancë institucionale dhe kjo nuk mund të arrihet në rast se nuk ndryshon qëndrimi i palës tjetër.
Krerët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë takuar katër herë në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje për formimin e institucioneve, asnjë prej tyre nuk kanë dhënë rezultat.
Mesnatën e së premtes përfundon afati kushtetues për formimin e Kuvendit, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje për këtë i ka numrat, njëjtë siç i ka edhe për zgjedhjen e qeverisë.
Zgjedhja e Presidentit në anën tjetër kërkon 80 deputetë për kuorum që nuk arrin t’i bëj partia fituese e zgjedhjeve, e në rast të dështimit vendi shkon në zgjedhje.

