TIRANË,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një reagim lidhur me rastin e Sokol Hoxhës, i cili sipas saj kishte mundur t’u shmangej për vite me radhë autoriteteve të drejtësisë duke përdorur identitete të rreme dhe duke fshehur të kaluarën e tij kriminale.
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada amerikane bëri të ditur se Njësia e Hetimeve Penale Ndërkombëtare e Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS), pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, luajti një rol të rëndësishëm në identifikimin e saktë të Hoxhës, pas një periudhe afro 30-vjeçare fshehjeje të identitetit.
Sipas njoftimit, Hoxha ishte dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë të kryer në Shqipëri në vitin 2000, si dhe për një tjetër vrasje në Belgjikë në vitin 2010. Për vite me radhë ai kishte shmangur përballjen me drejtësinë duke përdorur një emër të rremë, duke siguruar status ligjor në një vend tjetër europian dhe më pas duke përfituar qëndrim të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nën një identitet tjetër.
“Sokol Hoxha mendoi se mund t’i shpëtonte së kaluarës së tij”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA, e cila thekson se zbulimi i identitetit të tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes institucioneve amerikane dhe ndërkombëtare.
Në këtë operacion, DSS bashkëpunoi me Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së, agjencinë amerikane të emigracionit dhe doganave (ICE), Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar.
Ambasada amerikane thekson se ky rast është një mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë për personat që përpiqen të përdorin sistemin e emigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të rënda të kryera jashtë vendit.
“DSS është krenare që qëndron përkrah partnerëve tanë vendas dhe ndërkombëtarë në këtë mision”, thuhet në përfundim të reagimit të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Rasti i Sokol Hoxhës është një tjetër shembull i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të rëndë dhe ndjekjes së personave që tentojnë t’i shpëtojnë drejtësisë përmes ndryshimit të identitetit dhe zhvendosjes në vende të tjera.

