Lajm i madh për Elbasanin: Qyteti përzgjidhet nga Komuniteti i Energjisë për projektin strategjik të dekarbonizimit

ELBASAN,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Elbasani është përzgjedhur si një nga dy bashkitë e para pilot në Komunitetin e Energjisë që do të përfitojë mbështetje të specializuar për zhvillimin e Zonave të Përshpejtimit të Energjisë së Rinovueshme (Renewable Acceleration Areas), një nismë strategjike që synon të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe zhvillimit të qëndrueshëm në qytetet me traditë industriale.

Ky është një hap i rëndësishëm për qytetin, i cili vlerësohet si një nga qendrat më të rëndësishme industriale të Shqipërisë dhe që tashmë do të jetë pjesë e një projekti rajonal me rëndësi të veçantë për transformimin energjetik të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të kësaj nisme, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Bashkinë e Elbasanit dhe Bashkinë e Bitolës në Maqedoninë e Veriut, duke i përzgjedhur ato si dy projektet e para pilot në rajon. Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy bashkitë do të përfitojnë asistencë teknike dhe ekspertizë për identifikimin, planifikimin dhe zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, si edhe për përshpejtimin e procedurave të pajisjes me leje dhe planifikimit territorial.

Sipas vlerësimit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Elbasani konsiderohet “zemra historike industriale e Shqipërisë dhe qendra e prodhimit të çelikut me bazë karboni në vend”. Pikërisht kjo trashëgimi industriale e bën qytetin një kandidat ideal për të testuar modele të reja të dekarbonizimit, duke e orientuar zhvillimin drejt një ekonomie të bazuar në burime të pastra energjetike dhe industri të gjelbra.

Në të njëjtën kohë, Bitola përfaqëson rajonin më të madh të minierave të qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe po kalon një proces të ngjashëm transformimi. Përvoja që do të ndërtohet në këto dy qytete synon të krijojë një model të suksesshëm që mund të zbatohet më pas edhe në bashki të tjera të Ballkanit Perëndimor me histori industriale dhe varësi nga lëndët djegëse fosile.

Një nga elementët më të rëndësishëm të projektit është krijimi i Zonave të Përshpejtimit të Energjisë së Rinovueshme, të parashikuara nga Direktiva Evropiane RED III. Këto zona do të identifikohen si territore ku projektet për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme do të mund të zhvillohen më shpejt, falë procedurave më të thjeshtuara administrative dhe një planifikimi më efikas, duke ruajtur njëkohësisht standardet për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Për Elbasanin, kjo nismë hap perspektiva të reja zhvillimi ekonomik. Ajo krijon kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve në energjinë diellore, energjinë e erës dhe teknologjitë e tjera të pastra, si dhe në infrastrukturën moderne energjetike, sistemet inteligjente të menaxhimit të energjisë dhe zhvillimin e industrive të gjelbra.

Pritshmëritë janë që projekti të ndikojë pozitivisht në rritjen e ekonomisë lokale, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e klimës së investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së qytetit, duke e pozicionuar Elbasanin si një nga qendrat kryesore të tranzicionit energjetik në Shqipëri dhe rajon.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thekson se modeli që do të zbatohet në Elbasan dhe Bitola është konceptuar si një nismë e replikueshme, e cila mund të shërbejë si udhërrëfyes për bashki dhe rajone të tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë dekarbonizimin e ekonomisë dhe përmbushjen e objektivave klimatike të Bashkimit Evropian.

Përzgjedhja e Elbasanit si një nga dy bashkitë e para pilot përbën një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për potencialin e qytetit dhe rolin që ai mund të luajë në transformimin e sektorit energjetik. Me këtë projekt, Elbasani synon të shndërrohet nga një simbol i industrisë tradicionale në një qendër moderne të energjisë së rinovueshme dhe industrisë së pastër, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe arritjen e objektivave evropiane për klimën dhe energjinë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME