Tre vite duke përshkruar rrugët e botës, Bashkia Librazhd vlerëson aventurën e Dashnor Balliut nga Funarësi,200 mijë kilometra nëpër 94 shtete në tre kontinente

LIBRAZHD ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ka ndarë një mesazh vlerësimi për bashkëqytetarin nga Funarësi, Dashnor Balliu, i cili prej tre vitesh po realizon një nga udhëtimet më të veçanta të një shqiptari, duke përshkuar botën me motor.

Sipas Dishës, Balliu vijon aventurën e tij të jashtëzakonshme, gjatë së cilës ka përshkuar mbi 200 mijë kilometra, ka vizituar 94 shtete dhe ka kaluar në tre kontinente, duke përfaqësuar me krenari vendlindjen dhe Shqipërinë në çdo ndalesë të këtij rrugëtimi.

Me rastin e trevjetorit të nisjes së udhëtimit, familjarë, miq dhe bashkëfshatarë të Dashnor Balliut u mblodhën në vendin nga ku ai u nis tre vite më parë, për të kujtuar fillimin e kësaj aventure dhe për t’i shprehur mbështetjen e tyre.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Mariglen Disha i uroi Dashnor Balliut suksese në vazhdimin e misionit, duke shprehur dëshirën që ai të rikthehet së shpejti në vendlindje me ëndrrën e realizuar dhe me histori frymëzuese nga të gjitha anët e botës.

Historia e Dashnor Balliut është kthyer në një shembull të guximit, këmbënguljes dhe pasionit për udhëtimin, duke dëshmuar se edhe nga një fshat i vogël i Librazhdit mund të nisë një rrugëtim që prek kontinente dhe frymëzon shumë të tjerë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME