ELBASAN,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Pasditja e kësaj të premteje është shoqëruar me një fluks të lartë automjetesh në autostradën Tiranë–Elbasan, ku si çdo fundjavë mijëra qytetarë janë nisur nga kryeqyteti drejt Elbasanit dhe zonave të tjera të juglindjes së vendit. Rritja e ndjeshme e numrit të mjeteve ka sjellë trafik të shtuar, veçanërisht në hyrje të qytetit të Elbasanit dhe në segmentet më të ngarkuara të këtij aksi rrugor.
Për të përballuar situatën dhe për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit, Policia Rrugore e Elbasanit ka marrë masa të shtuara, duke angazhuar efektivë në pikat kyçe të qarkullimit. Monitorimi po zhvillohet në segmentet Shinjon–Bradashesh, Rrethi i Luleve dhe Kryqëzimi i Cërrikut, zona ku tradicionalisht krijohen ngadalësime gjatë fundjavave për shkak të fluksit të automjeteve.
Sipas situatës në terren, prej disa orësh qarkullimi në këto akse zhvillohet me ritëm më të ngadaltë se zakonisht, por pa u bllokuar. Kolonat e mjeteve lëvizin vazhdimisht dhe deri më tani nuk raportohen ndërprerje të qarkullimit apo incidente që të kenë rënduar më tej situatën.
Burime nga Policia Rrugore bëjnë me dije se patrullat do të vijojnë të jenë të pranishme gjatë gjithë mbrëmjes për të menaxhuar lëvizjen e automjeteve, për të parandaluar parakalimet e rrezikshme dhe për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, udhëzimet e punonjësve të policisë dhe të shmangin manovrat e rrezikshme, pasi pritet që fluksi i automjeteve drejt Elbasanit dhe qyteteve të tjera të vijojë edhe gjatë orëve në vijim, në prag të fundjavës.

