BERAT , 1 korrik 2026 / Albania Express News/ -Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, zhvilloi paraditen e sotme një takim pune me drejtuesit dhe përfaqësuesit e të gjitha inspektoriateve rajonale të qarkut të Beratit, ku morën pjesë strukturat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si dhe institucione të tjera përgjegjëse për kontrollin dhe monitorimin në territor.
Takimi u fokusua në masat që duhet të ndërmerren për përballimin me sukses të sezonit veror turistik, një periudhë gjatë së cilës Berati, si qytet muze dhe një nga destinacionet më të vizituara në vend, pret mijëra turistë vendas dhe të huaj.
Në fjalën e tij, Dashnor Sula kërkoi nga të gjitha institucionet që të jenë në gadishmëri të plotë, duke rritur kontrollet në terren dhe duke bashkëpunuar ngushtë për të parandaluar çdo problematikë që mund të cenojë sigurinë, shëndetin publik dhe mjedisin.
Një rëndësi të veçantë, sipas Sulës, do të ketë puna e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili duhet të intensifikojë kontrollet në restorante, bujtina, bare, hotele dhe çdo subjekt ku përgatitet apo tregtohet ushqim, me qëllim garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore gjatë fluksit të turistëve.
Po ashtu, ai theksoi se në gatishmëri maksimale do të jenë edhe strukturat e higjienës dhe shëndetësisë, për të parandaluar problematikat mjedisore dhe sanitare, me fokus të veçantë ndotjen e lumit Osum.
“Kushdo subjekt që ndot lumin Osum apo mjedisin do të përballet me gjoba. Nuk do të ketë tolerancë për ata që shkelin ligjin dhe dëmtojnë pasuritë natyrore,” u shpreh Inspektori i Përgjithshëm.
Sula bëri të ditur se u ka kërkuar të gjitha institucioneve në varësi të tij raportime të detajuara mbi problematikat e evidentuara në terren, me synim ndërhyrjen e menjëhershme dhe marrjen e masave konkrete.
Ndër çështjet më shqetësuese të ngritura gjatë takimit ishte edhe dëmtimi i mjedisit në zonën e malit të Tomorrit, ku prej vitesh aktiviteti i disa firmave që nxjerrin pllaka guri dekorativ ka shkaktuar pasoja të konsiderueshme në natyrë. Sula theksoi se kjo situatë do të jetë objekt i monitorimit dhe verifikimeve të imtësishme nga institucionet përgjegjëse.
Në përfundim të takimit, Inspektori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat inspektuese, duke nënvizuar se vetëm përmes kontrolleve të vazhdueshme, bashkëpunimit institucional dhe zbatimit të ligjit mund të garantohet një sezon turistik i sigurt, me standarde të larta shërbimi dhe me mbrojtje të plotë të mjedisit në qarkun e Beratit.Sula bëri të ditur se është ngritur një grup pune për identifikimin dhe analizimin e problematikave konkrete, me qëllim zbatimin e një qasjeje të re në inspektim: kontrolle të bazuara në risk, parandalim të dëmtimeve mjedisore dhe koordinim më të mirë institucional.

