LIVE PAFOS-DINAMO/ Gola dhe tension në Qipro, blutë e mbyllin në kontroll të plotë pjesën e parë

TIRANË , 27 gusht 2026/Albania Express News/-Dinamo po luan ndaj Pafosit në Qipro, në finalen e “play-off”-it të Ligës së Konferencës, sfidë që do të përcaktojë skuadrën që do të sigurojë një vend në fazën e ligës së kompeticionit.

Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Elbasan Arena”, gjithçka mbetet e hapur. Pavarësisht diferencës së madhe në vlerën e skuadrave në treg, Dinamo tregoi në sfidën e parë se mund të përballet denjësisht me qipriotët.

Trajneri Ilir Daja i ka besuar një formacioni që synon kualifikimin historik. Në formacionin titullar është edhe Fadairo, i huazuar nga Partizani, i cili aktivizohet për herë të parë nga minuta e parë.

PAFOS 1-1 DINAMO

8’ Fadairo – 12’ Sema

NGJARJET KRYESORE

45’+7’ – Mbyllet pjesa e parë në barazim 1-1. Dinamo e kontrollon lojën në minutat e fundit, por pa gjetur golin e avantazhit.

45’+5’ – Malomo futet në qendër nga e majta dhe provon me gjuajtje, por topi përfundon jashtë, jo shumë larg shtyllës së portës vendase.

45’+3’ – Përndreca provon me të majtën nga distanca, por sfera nuk gjen kuadratin.

45’+1’ – Pas një goditjeje dënimi nga e majta, Ioanu gjuan me kokë, por Teqja përgjigjet mirë dhe neutralizon rrezikun.

45’ – Akordohen 6 minuta shtesë.

42’ – Pafosi ndërton një aksion të rrezikshëm në krahun e djathtë. Pasimi gjen Lele të vetëm para portës, por sulmuesi e dërgon topin shumë lart mbi traversë.

40’ – Probleme fizike për Ditën, i cili detyrohet të marrë ndihmën e stafit mjekësor.

38’ – Dinamo merr kontrollin e lojës dhe qarkullon mirë topin, por pa arritur të finalizojë me gjuajtje drejt portës.

35’ – Dragomir tenton të kontrollojë topin në zonë nga e majta, por Ismaili mbrohet mirë dhe e detyron të dalë jashtë.

30’ – Aksion i shpejtë i Dinamos në krahun e majtë. Mbrojtja vendase arrin të bllokojë Vilën në zonë.

27’ – Pas goditjes së dënimit të David Luiz, topi mbetet rrezikshëm në zonën e Dinamos, por Aliji largon rrezikun dhe fiton një faull.

26’ – Përndreca ndëshkohet me karton të verdhë pas një pengimi ndaj Korreias.

18’ – Teqja tregohet i vëmendshëm dhe reagon mirë pas një goditjeje me kokë të Lele.

15’ – Loja rifillon pas rreth tre minutash ndërprerje, teksa dinamovitët pretenduan për faull në aksionin e golit të Pafosit.

12’ GOL PAFOS! 1-1. Sema gjuan nga distanca dhe topi devijohet, duke përfunduar në rrjetën e Teqjes. Dinamovitët protestojnë ashpër, duke pretenduar se duhej të ishte ndalur loja për një faull ndaj Malomos.

8’ GOOOL DINAMO! 0-1. Malomo i vjedh topin David Luiz dhe ia pason Silva-Richards, i cili shërben për Fadairon. Sulmuesi nuk fal përballë portës dhe i jep avantazhin Dinamos.

5’ – Lele provon të gjejë portën, por gjuajtja e tij nuk është e saktë.

3’ – Pas një goditjeje këndi të Alijit, Përndreca nuk arrin të devijojë topin.

1’ – Nis sfida në Qipro.

FORMACIONET ZYRTARE

Pafos: Majecki; Bruno, Goldar, David Luiz, N. Ioanou; Pepe, Sunjic, Sema; Dragomir, Lele, Korreia.

Trajner: Ricardo Sa Pinto.

Dinamo: Teqja; Përndreca, Aliji, Dita, Ismaili; Silva-Richards, Qardaku, Malomo; L. Vila, Fadairo, Qefalija.

Trajner: Ilir Daja.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME