KORÇË -TIRANË ,7 qershor 2026/Albania Express News/Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Violand Braçellarin, i cili dyshohet për disa vepra të rënda penale, mes tyre vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit e mbetur në tentativë.
Sipas vendimit të shpallur këtë të shtunë, më 7 qershor 2026, në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, gjykata ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Braçellarit dhe ka pranuar kërkesën për caktimin e masës më të ashpër të sigurisë.
I dyshuari akuzohet për veprat penale “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjykata urdhëroi që ndaj tij të zbatohet masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, ndërsa për ekzekutimin e vendimit është ngarkuar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Po ashtu, në vendim përcaktohet se kundër kësaj mase mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda afatit 5-ditor, duke nisur nga dita pas komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Çështja ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të gravitetit të akuzave që rëndojnë mbi të dyshuarin, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

