SARANDË,7 maj 2026/Albania Express News/Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e kësaj të enjteje qytetin e Sarandës, ku një atentat me armë zjarri i ka marrë jetën biznesmenit Rexhep Ismaili, 66 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në zonën e Gjashtës, pranë ambientit të biznesit në pronësi të viktimës. Ismaili, i njohur në qytet si pronar karburanti dhe ish-kryetar i shoqatës “Çamëria”, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri teksa ndodhej i ulur në lokalin e biznesit të tij, në shoqërinë e personave të tjerë.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autori i dyshuar ka mbërritur i armatosur në karburant dhe ka hapur zjarr në drejtim të 66-vjeçarit, duke e goditur me një plumb në kokë. Plagët e marra rezultuan fatale për biznesmenin, i cili humbi jetën në vend.
Sipas dinamikës paraprake të hetimit, atentati dyshohet të ketë ardhur pas një konflikti të ndodhur disa ditë më parë mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Menjëherë pas të shtënave, persona që ndodheshin brenda ambienteve të lokalit kanë reaguar duke marrë një armë automatike dhe duke qëlluar në drejtim të autorit, por pa mundur ta neutralizojnë atë.
Autori ka arritur të largohet nga vendngjarja dhe aktualisht është në kërkim nga policia. Në zonë janë ngritur pika kontrolli, ndërsa forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tij, si edhe për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në Sarandë, ku Rexhep Ismaili njihej gjerësisht si biznesmen aktiv dhe figurë e angazhuar në komunitet.

