Ministri Lamallari në mjediset e reja të policisë në Berat: Hapësirë dinjitoze për efektivët dhe shërbimin ndaj qytetarëve

BERAT ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi ambientet e reja të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë Berat, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 253 milionë lekë, i projektuar sipas standardeve më të mira bashkëkohore.

Ministri Lamallari theksoi se investimi nuk përfaqëson vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por mbi të gjitha rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe kushteve të punës për efektivët e Policisë së Shtetit.

“Janë ambiente absolutisht bashkëkohore, një investim i qeverisë shqiptare që ofron komoditet dhe dinjitet për punonjësit e Policisë së Shtetit. Por theksi ynë mbetet tek bashkëpunimi me qytetarët dhe trajtimi i tyre me etikë, mirësjellje dhe respekt në çdo shërbim që marrin,” u shpreh ministri Lamallari.

Ai nënvizoi se ambientet e reja të pritjes, shoqërimit dhe intervistimit të të miturve janë ndërtuar në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke marrë në konsideratë edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit.

“Ky është një investim me impakt të madh social. Në fund të ditës, gjithçka bëhet për t’u garantuar qytetarëve një trajtim sa më dinjitoz dhe një shërbim sa më cilësor. Synimi ynë është të forcojmë besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, sepse siguria ndërtohet përmes bashkëpunimit,” deklaroi Lamallari.

Ministri vlerësoi situatën e sigurisë në qarkun e Beratit, duke theksuar se është një ndër zonat që spikat për rendin dhe qetësinë publike, ndërsa nënvizoi se siguria mbetet një faktor kyç për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.

“Turizmi zhvillohet kur kemi më shumë siguri, më shumë bashkëpunim dhe më shumë besim të qytetarëve te Policia e Shtetit. Kjo është prioriteti ynë,” tha ai.

Lamallari bëri të ditur gjithashtu se gjatë takimit u diskutuan edhe masat për sezonin turistik, përfshirë zbatimin e ndryshimeve në udhëzimin e përbashkët për zhurmat, me qëllim garantimin e një mjedisi më të qetë për qytetarët dhe vizitorët.

I pyetur nga gazetarët mbi lajmet e publikuara në disa portale, sipas të cilave ai kishte dhënë dorëheqjen, ministri Lamallari i hodhi poshtë këto pretendime.

“Unë nuk merrem me portalet, unë merrem vetëm me punë konkrete. Ky takim ku jemi sot është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, ku edhe unë bëj pjesë”, u përgjigj ministri.
Ai shtoi se qeveria ka përmbyllur një cikël të rëndësishëm investimesh në infrastrukturën e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin.

“Jam shumë i lumtur që kemi përfunduar ciklin e investimeve në drejtoritë vendore dhe komisariatet e Policisë së Shtetit. Kjo është e vetmja qeveri që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë Policisë së Shtetit, jo vetëm përmes investimeve në infrastrukturë dhe teknologji, por edhe në trajtimin më të mirë të efektivëve,” deklaroi Lamallari.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Hëna e Plotë dhe Pasqyra”

NGA NERTIL JOLE TIRANË ,30 korrik 2026/Albania Express News/--Mbrëmë nuk...

Kryebashkiaku Mariglen Disha: Griseld Lika firmos me Sopotin, përforcim me eksperiencë për sezonin e ri

LIBRAZHD ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Klubi i futbollit Sopoti...