ELBASAN ,25 qershor 2026/Albania Express News/-Gjashtë funksionarë shtetërorë në Elbasan janë vënë nën masë sigurie pas një hetimi për abuzime me skemën e ndihmës ekonomike, ku dyshohet se është shkaktuar një dëm prej rreth 12.5 milionë lekësh të reja.
Njoftimi:
Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve do të dërgohet për gjykim pasi i është njoftuar akuza dhe kanë marrë statusin e të pandehurit.
Hetimet mbi procedimin penal nr.395, datë 24.04.2025, nisën mbi bazën e kallëzimit të një qytetari i cili pretendonte se abuzohej me skemën e ndihmës ekonomike, duke marrë shkas nga rasti i familjarëve të tij.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim më Seksionin për hetimin e krimit ekonomik/financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kryen një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, duke nxjerrë në pah abuzimet me fondet shtetërore sa i përket skemës së ndihmës ekonomike, në nivele nga Njësia administriative-Qytet-Qarku Elbasan. Hetimi është shtrirë vetëm në një Njësi Administrative të qarkut Elbasan, për periudhën Tetor 2024-Korrik 2025 dhe ka rezultuar një dëm ekonomik përafërsisht në vlerën 12 500 000 (dymbëshjetë milion e pesëqind mijë) lekë të reja. Kjo ka ardhur si pasojë e përfshirje në skemën e ndihmës ekonomike pa të drejtë të familjeve përfituese që nuk plotësonin kriteret ligjore për përfitim. Pas fillimit të hetimit penal, numri i familjeve përfituese është ulur, konkretisht nga 320 familje përfituese në 110 familje.
Në kuadër të këtij procedimi penal u arrit të provohet se funksionarët shtetërorë në bashkëpunim midis tyre, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke mos administruar dokumentacionin e kërkuar, duke rritur fiktivisht numrin e familjeve përfituese, duke përvetësuar pa të drejtë shuma monetare si dhe duke mos ushtruar një kontroll efekt në mënyrë që të ndalohej kjo veprimtari e paligjshme.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, shpreh angazhimin për hetimin me përparësi të grupveprave që lidhen me krimet financiare në sferën publike dhe private si dhe i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.

