LUBLIN, Poloni ,29 maj 2026/Albania Express News/ Universiteti i Elbasanit ka shënuar një tjetër sukses në rrugën e tij drejt ndërkombëtarizimit, duke ndërmarrë angazhimin për t’u bërë pjesë e Rrjetit Universitar të Tre Deteve (3SUN – Three Seas Universities Network) gjatë zhvillimit të Kongresit të Qeverisjes Vendore të Iniciativës së Tre Deteve dhe Forumit Ekonomik të Lublinit në Poloni.
Ky zhvillim vjen në kuadër të një prej platformave më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar në Evropën Qendrore dhe Lindore, Kongresit të Lublinit, i cili organizohet nën patronazhin honorifik të Presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki. Aktiviteti mbledh përfaqësues të qeverive vendore, universiteteve, institucioneve kërkimore, sipërmarrjes dhe organizatave ndërkombëtare, me synimin për të forcuar partneritetet rajonale dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, social dhe shkencor.
Iniciativa e Tre Deteve përfshin 13 shtete evropiane të vendosura midis Detit Baltik, Detit Adriatik dhe Detit të Zi, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme bashkëpunimi në fusha strategjike si infrastruktura, energjia, inovacioni, arsimi dhe kërkimi shkencor.
Pjesëmarrja e Universitetit të Elbasanit në këtë forum të nivelit të lartë dhe vendimi për t’u bërë pjesë e rrjetit 3SUN konsiderohet një moment i rëndësishëm për institucionin, pasi hap perspektiva të reja për bashkëpunim akademik me universitete prestigjioze evropiane.
Rrjeti Universitar i Tre Deteve, i themeluar në vitin 2023 në qytetin e Lublinit dhe i koordinuar nga Universiteti Katolik “John Paul II”, ka si mision krijimin e një platforme të përbashkët bashkëpunimi ndërmjet universiteteve anëtare. Përmes këtij rrjeti promovohen projekte kërkimore të përbashkëta, programe shkëmbimi për studentët dhe stafin akademik, organizimi i konferencave ndërkombëtare, si dhe aplikime të përbashkëta në programe financimi të Bashkimit Evropian.
Për Universitetin e Elbasanit, anëtarësimi në këtë rrjet përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të rritur ndërveprimin me institucionet akademike evropiane, për të zgjeruar ofertën e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë.
Ky angazhim pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, duke i dhënë universitetit një rol më aktiv në projektet akademike dhe shkencore ndërkombëtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në 3SUN do të mundësojë shkëmbimin e përvojave më të mira evropiane dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme me universitete nga vende të ndryshme të kontinentit.
Përfshirja në Rrjetin Universitar të Tre Deteve konfirmon orientimin e Universitetit të Elbasanit drejt hapjes ndërkombëtare dhe forcimit të pozicionit të tij në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, duke e bërë atë pjesë të një nisme që synon të ndërtojë ura bashkëpunimi, inovacioni dhe zhvillimi mes institucioneve akademike të rajonit dhe më gjerë.


