Etapa e dytë e Turit të 83-të Ciklistik të Shqipërisë, Samuel Fedor triumfon në etapën Lezhë–Elbasan

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN,20 maj 2026/Albania Express News/ Etapa e dytë e Turit të 83-të Ciklistik të Shqipërisë dhuroi emocione të jashtëzakonshme dhe rivalitet të fortë sportiv përgjatë itinerarit Lezhë–Elbasan, me gjatësi 149.8 kilometra, duke konfirmuar nivelin e lartë të këtij edicioni ndërkombëtar. Ritmi i garës ishte tepër i lartë, me një mesatare mbresëlënëse prej 48.2 km/h, çka e shndërroi etapën në një sfidë spektakolare për të gjithë çiklistët pjesëmarrës.

Në përfundim të një sprinti dramatik final, fitues i etapës u shpall sllovaku Samuel Fedor i ekipit Dukla Banska Bystrica, i cili arriti të lërë pas rivalët në metrat e fundit dhe të marrë duartrokitjet e publikut. Në vendin e dytë u rendit zvicerani Guillaume Haldimann, ndërsa podiumi u kompletua nga belgu Lance Decabooter, duke vulosur një garë me rivalitet të fortë deri në sekondat e fundit.

Pas dy etapave të zhvilluara, fanella e verdhë e liderit vazhdon të mbahet nga belgu Kjell Cooman i ekipit B-Close – Bal-Enzo, i cili po tregon vazhdimësi dhe stabilitet në kryesimin e renditjes së përgjithshme. Ndërkohë, çiklisti turk Tahir Buğra Yiğit ruan vendin e parë në klasifikimin me pikë, duke dëshmuar formë të shkëlqyer sportive.

Edhe gara për klasifikimin malor mbetet shumë e fortë, ku lider është slloveni Timotej Bavec, ndërsa fanella e bardhë për çiklistin më të mirë të ri mbahet nga turku Arda Tekirdağ, një nga talentet më premtues të këtij turi.

Në aspektin ekipor, etapa e dytë u dominua nga skuadra Dukla Banska Bystrica, ndërsa në renditjen e përgjithshme ekipore kryeson B-Close – Bal-Enzo, duke treguar organizim dhe performancë të lartë gjatë dy ditëve të para të aktivitetit.

Turi i 83-të Ciklistik i Shqipërisë po vazhdon të sjellë spektakël, rivalitet dhe promovim të sportit të çiklizmit, ndërsa rrugët shqiptare po bëhen arenë e një gare ndërkombëtare me standarde të larta dhe pjesëmarrje elitare nga vende të ndryshme të Europës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Berlin, Taulant Balla: Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 20 maj/2026/Albania Express News/ Kryetari i Grupit Parlamentar...

Çmenduria e miliardave, si mundet që Burnley i rënë nga kategoria fiton më shumë se Barcelona Kampione?!

ANGLI,20 maj 2026/Albania Express News/Futbolli modern ka arritur në...