ELBASAN,20 maj 2026/Albania Express News/Një aktivitet sa edukativ aq edhe frymëzues u zhvillua në Spitali Rajonal Elbasan, ku një grup nxënësish nga shkolla 9-vjeçare Shkolla 9-vjeçare “Abdyl Paralloi” patën mundësinë të njiheshin nga afër me botën e profesionistëve të shëndetësisë, në kuadër të nismës “Një ditë në profesion”.
Vizita u zhvillua nën kujdesin e Drejtoreshës së Spitalit Rajonal Elbasan, Prof. Dr. Zheni Gjergji, e cila përmes një mesazhi të ndjerë dhe motivues mirëpriti nxënësit, duke i ftuar të shohin spitalin jo vetëm si një institucion shëndetësor, por si një vend ku çdo ditë lind shpresa dhe ku humanizmi merr kuptimin më të thellë.
Të shoqëruar nga drejtori i shkollës Arlind Mufali, mësuesja Irilda Jolldashi dhe drejtoresha e ZVA-së Vesa Llanaj Liço, nxënësit vizituan ambientet e spitalit dhe u njohën nga afër me punën, përkushtimin dhe përgjegjësinë e stafit mjekësor.
Në fjalën e saj, Prof. Dr. Zheni Gjergji theksoi se mjekësia është një profesion që kërkon dije dhe zemër, ndërsa u ndal edhe tek rëndësia e frymëzimit të brezit të ri për të zgjedhur profesione që i shërbejnë komunitetit dhe jetës së njerëzve.
“Profesionet më të bukura janë ato që prekin jetën e njerëzve dhe mjekësia është padyshim një prej tyre”, shprehet ajo në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të spitalit.
Atmosfera e ngrohtë dhe mikpritëse krijoi për nxënësit një eksperiencë të veçantë, duke u dhënë mundësinë të shohin nga afër realitetin e punës në një institucion shëndetësor dhe sakrificat që qëndrojnë pas çdo shërbimi ndaj pacientëve.
Ky aktivitet u vlerësua si një urë lidhëse mes arsimit dhe profesionit, duke synuar orientimin dhe motivimin e të rinjve për të ndjekur ëndrrat e tyre dhe për të kontribuar nesër në shoqëri me profesionalizëm dhe humanizëm.


