Tifozëria “Verdheblu” do e paguaj shtrenjtë “teprinë e pasionit” të manifestuar në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena”

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN,12 maj 2026/Albania Express News/AF Elbasani sivjet zhvilloi një sezon të shkëlqyer si në Kupë edhe në Kampionat dhe riktheu entuziazmin, krenarinë dhe atmosferën e futbollit të madh në qytetin e Elbasanit. Stadiumi “Elbasan Arena” u kthye shpesh në një arenë feste masive verdheblu, me tribunat që gumëzhinin nga mbështetja për skuadrën. Por, fatkeqësisht, në fund gjithçka u njollos nga sjellje të papranueshme të cilat u provokuan nga “Tirana Fanatic” që i kushtuan rëndë klubit.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSHF-së ishte një tjetër kambanë alarmi për atë që po ndodh prej muajsh në tribunat verdheblu. Gjoba e rëndë financiare dhe dy ndeshje pa tifozë nuk janë vetëm një ndëshkim administrativ.Ato janë një goditje morale dhe sportive për një klub që po bën historinë dhe që ka nevojë për mbështetje, jo për penalitete.

Nuk është hera e parë që AF Elbasani ndëshkohet për sjelljen e një pjese të tifozërisë. Gjatë gjithë kampionatit pati episode të hedhjes së sendeve në fushë, tensione dhe situata që në vend të ndihmonin skuadrën, krijuan presion dhe dëmtuan imazhin e klubit. Në ndeshjen e fundit, gjithçka i kaloi kufijtë e pranueshëm, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve, arbitrave dhe vetë zhvillimin normal të takimit.

Duhet thënë qartë: pasioni për ekipin e AF Elbasanit nuk justifikon dhunën, presionin apo sjelljet që dëmtojnë vetë klubin që pretendohet të mbrohet. Futbolli jeton nga emocionet, por jo nga kaosi. Një tifozëri e madhe dallohet kur di të mbështesë ekipin edhe në momentet më të vështira, jo kur e fundos atë me veprime të pamenduara.

Paradoksi më i madh është se skuadra që luftoi gjatë gjithë sezonit për rezultate pozitive, tani do të vuajë pasojat e disa minutave të papërgjegjshmërisë. Dy ndeshje pa tifozë do të thotë një “Elbasan Arena” bosh, pa zërin dhe energjinë që shpesh kanë qenë arma më e fortë e ekipit. Dhe këtë dëm nuk e paguan vetëm klubi financiarisht, por e paguajnë lojtarët, trajnerët dhe tifozët e vërtetë që e mbështesin qytetarisht skuadrën.

AF Elbasani meriton një tifozëri të zjarrtë, por edhe të përgjegjshme. Klubi ka bërë hapa përpara në organizim, në projekt dhe në rikthimin e identitetit sportiv të qytetit. Pikërisht për këtë arsye, edhe tifozëria duhet të rritet bashkë me ekipin dhe të kuptojë se futbolli modern nuk fiton me sharje në kor ,me dhunë apo presion ndaj arbitrave, por me kulturë sportive dhe mbështetje pozitive.

Elbasani ka një nga tifozëritë më pasionante në Shqipëri dhe kjo është një vlerë që duhet ruajtur përgjithmonë.Por pasioni duhet të shërbejë si forcë për ekipin dhe jo si arsye për ndëshkime të vazhdueshme. Sepse në fund, kur stadiumi boshatiset dhe klubi gjobitet, humbësi më i madh është vetë AF Elbasani.
Tifozëria verdheblu e AF Elbasanit ka qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë një nga pasuritë më të mëdha të këtij klubi ,një zë i fortë, një energji që e ka shtyrë skuadrën përpara dhe një identitet që i jep jetë “Elbasan Arenës” në çdo ndeshje. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia e saj është edhe më e madhe.

Futbolli nuk fiton vetëm me brohoritje, por me mbështetje që e ngre ekipin, jo që e dëmton atë. Çdo send i hedhur në fushë, çdo veprim jashtë rregullave, nuk godet kundërshtarin ,godet vetë AF Elbasanin, lojtarët që djersijnë për fanellën dhe qytetin që e ndjek me krenari.

Ky është momenti për të bërë një hap përpara si tifozëri e AF Elbasanit.Për ta kthyer pasionin në forcë pozitive, për ta kthyer zërin në mbështetje dhe jo në penalitet, për ta bërë “Elbasan Arenën” një shembull të kulturës sportive në Shqipëri.

Mbështesni AF Elbasanin me zemër, me zë dhe me krenari, por gjithmonë me respekt për lojën, për kundërshtarin dhe për rregullat e futbollit. Sepse klubi ka nevojë për tribunat e mbushura, jo për tribunat e boshatisura nga ndëshkimet.

AF Elbasani është më i madh se çdo gabim momental. Dhe vetëm së bashku ,skuadër, staf dhe tifozëri ,mund ta çojmë aty ku i takon ,në elitë, me dinjitet dhe respekt.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ansambli “Gurra e Kurbinit” shkëlqen në festivalet mbarëkombëtare, rrëmben çmime dhe zemrat e publikut

Nga Imer Hysa KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e...

Zbatimi i paqes fiskale, cilat janë bizneset që nuk përfitojnë

TIRANË ,15 maj 2026/Albania Express News/Drejtoria e Tatimeve ka...

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, ja kush emërohet në vend të Arti Papajanit

TIRANË,15 maj 2026/Albania Express News News/Arti Papajani është shkarkuar...