TIRANË ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë goditi këtë të martë prefekturën Kumamoto, në ishullin jugor Kyushu të Japonisë, duke shkaktuar dëme të shumta, ndërprerje të transportit dhe panik mes banorëve.
Sipas autoriteteve japoneze, mbi 100 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa mediat vendase raportojnë se 20 deri në 30 persona rezultojnë të zhdukur pas shembjes së pjesshme të qendrës tregtare “Aeon”. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë deri tani katër persona të gjallë nga rrënojat, ndërsa operacionet e kërkimit vijojnë.
Kryeministrja Sanae Takaichi njoftoi ngritjen e një task-force emergjente dhe dërgimin e 3.600 ushtarëve në zonën e prekur. “Prioriteti ynë është shpëtimi i jetëve njerëzore“, deklaroi ajo, duke konfirmuar se janë raportuar ndërtesa të shembura, rrugë dhe ura të dëmtuara, ndërprerje të energjisë elektrike dhe vatra zjarri në disa zona.
Tërmeti shkaktoi edhe probleme të mëdha në transport. Aeroporti i Kumamotos pezulloi operacionet, një tren mallrash doli nga shinat, ndërsa disa autostrada dhe linja hekurudhore u mbyllën. Rreth 48 mijë banesa mbetën pa energji elektrike.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi fillimisht një paralajmërim për cunami, i cili u anulua më vonë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë për shkak të rrezikut të lëkundjeve të tjera të forta në ditët në vijim.
Sipas mediave ndërkombëtare, rreth 300 mijë banorëve u është rekomanduar të evakuohen si masë paraprake. Ndërkohë, autoritetet bërthamore njoftuan se nuk janë konstatuar probleme në centralet bërthamore të rajonit.

