Nga Irma Kurti
ITALI , 22 gusht 2026/Albania Express News/-Ç’kërkojmë në këtë vend të huaj, ku njerëzit harrojnë të të përshëndesin, duke u përqendruar gjithnjë e më shumë tek vetja? Ku dyert i mbyllim me çelës dhe nuk i hapim kurrë pa vështruar më parë pas syrit magjik?
Ç’kërkojmë në këtë dhe të huaj, ku të fiksojnë sepse flet një gjuhë tjetër? Edhe në çastin kur mendon se je bërë pjesë e tij, mjafton një fjalë, një shikim apo një nënqeshje për të të vrarë e lënduar, njësoj si në fillim, kur e shkele për herë të parë dhe ece i pasigurt, me frikën se ishe pa leje qëndrimi.
Secili prej nesh mori me vete një bagazh me gjërat më të shtrenjta. Mes tyre ishin edhe albumet me fotografi të një jete aq të largët dhe të paarritshme, sa ndonjëherë duket sikur nuk e kemi jetuar.
Secili krijoi eksperiencat e veta, unike dhe të papërsëritshme, të përbëra nga sakrifica, lot trishtimi dhe gëzimi.
Erdhëm për të takuar lumturinë, për të kuptuar më pas se ajo nuk zgjat përgjithmonë. Jeton vetëm një çast. Ndaj duhet të mos e lëmë të ikë, por ta mirëpresim dhe t’i hapim zemrën.
Rruga për të realizuar ëndrrat ishte e gjatë, me kthesa dhe kurthe. Gjatë saj humbëm njerëz të afërt, apo edhe ata që i konsideronim miq. Por më e rëndësishmja është të mos humbasim veten.
Duhet ta forcojmë shpirtin përballë një fjale, një fyerjeje, një dhimbjeje, sepse ndonjëherë ai është kaq i brishtë dhe delikat…
Sfida më e madhe në ditët e sotme është ta ruash shpirtin të pastër e të kthjellët, pa e spërkatur me helmin e zilisë, keqdashjes, inatit, grindjes dhe paragjykimit.
Shpirti duhet ruajtur i kthjellët dhe transparent, si një pikë vese.
P.S /Irma Kurti, poete dhe përkthyese,pjesë aktive e diasporës shqiptare në Itali !

