Kapiteni i AF Elbasanit Bruno Lulaj shpallet lojtari i ndeshjes ndaj Laçit: “Peng i madh që nuk morëm 3 pikët”

ELBASAN , 22 gusht 2026/Albania Express News/-Kapiteni i AF Elbasanit, Bruno Lulaj, u zgjodh lojtari më i mirë i ndeshjes në barazimin 1-1 ndaj Laçit, në sfidën hapëse të sezonit të ri të Abissnet Superiore. Mbrojtësi zhvilloi një paraqitje të rëndësishme në prapavijën verdheblu, ndërsa pas përfundimit të takimit foli për zhgënjimin e skuadrës për pikët e lëna.

AF Elbasani ishte pranë fitores në debutimin e saj në kampionat, por Laçi arriti të barazojë në minutat e fundit, duke i mohuar ekipit elbasanas nisjen e sezonit me tri pikë.

Lulaj, i cili mban edhe shiritin e kapitenit, e cilësoi si një peng të madh faktin që skuadra nuk arriti të ruante avantazhin deri në fund.

“Peng i madh që nuk arritëm të merrnim 3 pikët. Pranuam gol në minutat e fundit. Gabuam se u tërhoqëm shumë në ato minuta. Laçi mori më shumë përsipër. Duhet të analizojmë dhe të përmirësohemi në vazhdimësi”, deklaroi Lulaj pas ndeshjes.

Kapiteni i AF Elbasanit u ndal edhe te kushtet e vështira të lojës, veçanërisht temperaturat e larta, që sipas tij ndikuan në paraqitjen fizike të futbollistëve.

“Lodhja ishte e pranishme. Kushtet nuk ishin optimale nga vapa. Edhe unë u ndjeva i lodhur si shumë shokë të skuadrës”, u shpreh mbrojtësi.

Lulaj foli gjithashtu për vështirësitë e krijuara në prapavijë pas problemeve të Gjinit, duke theksuar se skuadra u detyrua të përshtatej gjatë lojës.

“Patëm problem me Gjinin që kaloi para, u munduam ta mbulonim. Ishin në epërsi gjithmonë në mbajtjen e topit. Ndryshe të luash me një qendërmbrojtës tipik, e ndryshe të sajohesh”, tha kapiteni.

Sipas tij, situata nuk lidhej me presionin e sfidës, por kryesisht me lodhjen dhe faktin që skuadra u detyrua të luante me një lojtar më pak në dispozicion për shkak të problemeve të Gjinit.

“Jemi ekip i ri, kemi shumë afrime, por nuk ishte pjesë presioni në këtë ndeshje, më shumë ishte nga lodhja, ishim me një lojtar mangët, pati probleme Gjini dhe Laçi e shfrytëzoi”, theksoi Lulaj.

Pavarësisht barazimit, kapiteni i AF Elbasanit shprehu besimin se skuadra do të rritet nga ndeshja në ndeshje, duke u përshtatur më mirë me afrimet e reja dhe kërkesat e sezonit.

“Me vazhdimin e javëve do të përmirësohemi dhe do të kolaudohemi”, përfundoi Bruno Lulaj.

Barazimi 1-1 ndaj Laçit i jep AF Elbasanit pikën e parë të sezonit, por skuadra elbasanase do të kërkojë rezultate më të plota në javët e ardhshme, ndërsa stafi teknik do të ketë në fokus korrigjimin e gabimeve të evidentuara në sfidën e parë të kampionatit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME