ANGLI, 23 gusht 2026 / Albania Express News/ – Armando Broja e ka nisur si titullar aventurën e tij me Bërnlin në Championship, duke marrë minuta të rëndësishme në përballjen e javës së dytë ndaj Uest Bromuiçit. Sulmuesi shqiptar u aktivizua nga minuta e parë, por nuk arriti të shënonte, ndërsa Bërnli u mposht 3-1 pas një përmbysjeje të skuadrës vendase.
Bërnli e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në pjesën e parë falë një autogoli. Megjithatë, Uest Bromuiçi reagoi dhe përmbysi gjithçka, duke siguruar tre pikët në fund të takimit.
Pavarësisht rezultatit negativ për skuadrën e tij, paraqitja e Armando Brojës është vlerësuar në mediat lokale angleze. “Burnley Express”, media që ndjek nga afër zhvillimet dhe ndeshjet e Bërnlit, i ka dhënë sulmuesit shqiptar notën 6, duke e konsideruar paraqitjen e tij të kënaqshme.
Në analizën e publikuar pas ndeshjes, për Brojën shkruhet se ai e udhëhoqi vijën e parë të sulmit në mungesë të Zian Fleming, duke bërë një paraqitje korrekte, edhe pse nuk arriti të kishte ndikimin e dëshiruar në lojën e skuadrës.
“Udhëhoqi vijën e parë me mungesën e Zian Fleming dhe bëri OK, por pa imponuar në të vërtetë veten ndaj të tjerëve. Kishte një mundësi të mirë shënimi, që u prit mirë”, ishte vlerësimi i medias angleze.
Një prej pikave që veçohet në paraqitjen e Brojës është pikërisht rasti i tij për gol. Sulmuesi kuqezi pati një mundësi të mirë për të shënuar, por tentativa e tij u ndal nga portieri kundërshtar.
Broja nuk qëndroi në fushë deri në fund të takimit, duke u zëvendësuar pa kaluar një orë lojë. Megjithatë, fakti që u preferua si titullar tregon rëndësinë që ai po merr në repartin ofensiv të Bërnlit në këtë fillim sezoni.
Për sulmuesin shqiptar, sfida ndaj Uest Bromuiçit ishte një tjetër mundësi për të fituar ritëm dhe për t’u përshtatur me kërkesat e skuadrës së tij të re. Edhe pse ende nuk ka gjetur golin e parë në këtë kampionat, vlerësimi pozitiv i mediave angleze është një sinjal inkurajues për Brojën.
Bërnli, ndërkohë, duhet të reagojë pas humbjes dhe të kërkojë pikët në javët e ardhshme, ndërsa Broja pritet të ketë sërish një rol të rëndësishëm në sulmin e skuadrës angleze.
Për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, objektivi mbetet i qartë: të fitojë vazhdimisht minuta, të rikthehet në formën më të mirë fizike dhe, mbi të gjitha, të gjejë golat që do ta ndihmonin atë dhe Bërnlin të synojnë objektivat e sezonit në Championship.

