Presidenti i Dinamo City, Ardian Bardhi, ka zbuluar mesazhet që ka marrë pas videos së festës së klubit, e cila bëri xhiron e rrjeteve sociale pas suksesit të bluve të kryeqytetit të Shqipërisë

TIRANË , 23 gusht 2026/Albania Express News/-Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, Bardhi tregoi se ka marrë urime nga kolegë të ndryshëm të futbollit shqiptar, ndërsa u shpreh i rezervuar kur u pyet nëse këto marrëdhënie janë shoqëruar edhe me bashkëpunime konkrete për klubin.

“Ka nga ata kolegë që më kanë uruar, kanë qenë ata që e kuptojnë futbollin”, tha Bardhi.

I pyetur nëse kolegët janë edhe bashkëpunues për ta ndihmuar Dinamon në momente të caktuara, presidenti i klubit u përgjigj: “Nuk di të të jap një përgjigje të tillë se sa dhe si.”

Ndërkohë, Bardhi zbuloi se videoja e festës ka marrë një jehonë shumë më të madhe nga sa pritej. Reagimet kanë ardhur jo vetëm nga njerëz që e njohin personalisht, por edhe nga persona me të cilët nuk kishte pasur më parë kontakte.

Mesazhi surprizues nga Italia

Një nga mesazhet më interesante, sipas Bardhit, ka ardhur nga Italia. “Patjetër, interesantja që më kanë thënë është: ‘Hajde, do të drejtosh klubet italiane!’”, tregoi ai.

Megjithatë, presidenti i Dinamos e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga projekti i klubit kryeqytetas.

“Jo, jo, unë jam këtu. Do ec me Dinamon. Do vazhdoj projektin e Dinamos, sa të kem mundësi”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, jehona e videos ka ndikuar pozitivisht edhe në imazhin e Dinamos, duke rritur interesin e futbollistëve për t’iu bashkuar klubit.

“Tani të gjithë duan të vijnë te Dinamo, që kemi një staf të mrekullueshëm, kemi çuna të mrekullueshëm”, deklaroi presidenti.

Nga një festë spontane në dhomat e zhveshjes, te mesazhet e ardhura nga Italia dhe interesi i shtuar i futbollistëve, Ardian Bardhi e sheh këtë moment si një energji të re për Dinamon dhe projektin e tij.

Ai nënvizoi se synimi mbetet vijimi i punës dhe konsolidimi i klubit, pas një periudhe në të cilën, sipas tij, Dinamo “po merrte të tatëpjetën”/Tch

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME