TIRANË , 22 gusht 2026/Albania Express News/-Në Tiranë ka vijuar edhe sot, në ditën e 84-t, protesta e qytetarëve, e cila nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec dhe më pas u zgjerua me kërkesa për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Si në çdo protestë të mëparshme, pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur njëkohësisht shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Aktivisti Edison Lika përsëriti kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit dhe qeverisë.
“Jemi sot në ditën e 84-t të kësaj rezistence qytetare dhe, siç e kemi thënë, ditët e rezistencës shtohen, ndërsa të qeverisë pakësohen. Ndaj kërkojmë njëzëri dorëheqjen”, deklaroi Lika.
Një tjetër protestues deklaroi se rezistenca e zhvilluar gjatë këtyre 84 ditëve ka kapërcyer individët dhe është shndërruar në një kauzë që bashkon qytetarët.
Protestuesi tha se duhet të krijohet një qeveri tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, e cila duhet të ndërmarrë ndryshime ligjore dhe kushtetuese për garantimin e zgjedhjeve të lira.
“Pas dorëheqjes së Edi Ramës ne kërkojmë një qeveri tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor që do bëjë të mundur ndryshimet ligjore dhe kushtetuese, të cilat do ta bëjnë Shqipërinë të lirë dhe do tia pamundësojë krimit që të kapë zgjedhjet. Ne kërkojmë që të zhbëhen ndryshimet kushtetuese të 2008-ës që i mundësuan partive të mëdha të kapin sistemin elektoral. Kërkojmë shfuqizimin e ligjit 21/2024, që i ka lënë zonat e mbrojtura të pambrojtura. Kërkojmë anulimin e ligjit për investimet strategjike dhe kërkojmë shfuqizimin e Paketës së Maleve”, tha ai.
Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

