TIRANË, 16 maj 2026/Albania Express News/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita mori pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit në Varrezat e Dëshmorëve, të Dëshmorit të Atdheut Novruz Cenalia.
Në ceremoni ishte i pranishë ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, familjarë të Dëshmorit të Atdheut Novruz Cenalia, drejtues të Policisë dhe qytetarë.
Në fjalën e tij, Hita theksoi se “dhimbja, heshtja dhe reflektimi sot peshojnë më rëndë se çdo fjalë në këtë ceremoni, sepse përballë sakrificës së një njeriu që ra në krye të detyrës, çdo fjali duket e pamjaftueshme. Jemi këtu përballë dhimbjes së pamasë të një familjeje, krenarisë së palëkundur të uniformës së Policisë së Shtetit dhe detyrimit moral e institucional të shtetit ndaj një efektivi që dha jetën në mbrojtje të ligjit, të rendit dhe të sigurisë së qytetarëve tanë”.
“Mbi këtë kodër, ku prehet nderi dhe sakrifica e kombit, ne nuk po kryejmë thjesht një procedurë shtetërore apo një protokoll zyrtar. Ky moment është më shumë se një ceremoni, është një betim, një kujtesë e gjallë, një plagë që nuk shërohet dhe një nder që nuk do të shuhet kurrë”, tha Hita.
Ai u shpreh se “Novruzi ra në krye të detyrës jo se ishte i pambrojtur, por se zgjodhi të ishte barriera mes qytetarëve dhe krimit dhe për këtë integritet të lartë dhe besnikëri ndaj betimit, ai sot do prehet përjetësisht mes Dëshmorëve të Atdheut. Një familje e nderuar humbi një bir të shtrenjtë, Policia e Shtetit humbi një koleg të shkëlqyer dhe Republika humbi një mbrojtës besnik të saj. Ndaj sot, me përgjegjësinë e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam detyrimin moral dhe institucional t’i drejtohem: “Novruz, misioni yt nuk u ndërpre, ai u bë i përjetshëm!””.
Hita tha se “sakrifica jote sublime është sot motivi më i fortë, por edhe një udhërrëfyes i qartë morali për çdo punonjës policie që vesh këtë uniformë. Në të njëjtën kohë, ky moment është një thirrje zgjimi për mbarë shoqërinë shqiptare, për të kuptuar dhe respektuar sakrificën e përditshme të mijëra djemve e vajzave, grave e burrave të Policisë së Shtetit, të cilët çdo sekondë vendosin jetën e tyre në altarin e sigurisë publike”.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcolli gjithashtu një mesazh ndaj kujtdo që sulmon uniformën blu: “Kush prek një punonjës policie, ka goditur vetë themelet e shtetit. Kush sulmon këtë uniformë, ka sulmuar rendin, sigurinë, ligjin dhe bashkëjetesën qytetare në Republikën e Shqipërisë. Krimi mund të na shkaktojë dhimbje dhe mund të na marrë jetë, por kurrë, asnjëherë nuk do të arrijë të na gjunjëzojë, të na zmbrapsë apo të zbehë forcën e reagimit tonë. Çdo dorë që ngrihet mbi uniformën e Policisë do ndeshë forcën e pamëshirshme të ligjit dhe harresën e turpshme të historisë”.

