Roli vendimtar i Fadil Kovaçit ,arkitekt i lavdisë dhe karrierës së shkëlqyer të mbrojtësit të talentuar , Bujar Cani nga Peqini

NGA FATMIR POPJA

PEQIN ,14 qershor 2026/Albania Express News/Ka futbollistë që lindin me talent dhe ka trajnerë që dinë ta shohin atë përpara se ta shohin të gjithë të tjerët. Historia e Bujar Canit dhe Fadil Kovaçit është pikërisht historia e këtij bashkimi të rrallë, ku intuita, besimi dhe vizioni i një trajneri u shndërruan në themelin e një karriere që do të hynte në historinë e futbollit shqiptar.

Askush nuk e vë në dyshim se Bujar Cani nga qyteti i Peqinit  ishte një talent i lindur. Ai kishte fizikun, karakterin dhe instinktin e një mbrojtësi të madh. Por arkitekti që i hapi dyert e futbollit të madh ishte Fadil Kovaçi, emër i shquar i sportit shqiptar dhe një nga trajnerët me syrin më të mprehtë për talentet.

Në fundin e viteve ’60, kur Cani aktivizohej me Shkumbinin e Peqinit si qendërmbrojtës, ishte pikërisht Kovaçi ai që kuptoi se përballë kishte një futbollist me potencial të jashtëzakonshëm. Duke qenë më herët trajner i Shkumbinit, ai e evidentoi menjëherë dhe e bindi ta ndiqte drejt aventurës së madhe te Labinoti i Elbasanit.

Për Fadil Kovaçin, afrimi i Bujar Canit nuk ishte thjesht një transferim, por një sfidë personale. Ai ia sugjeroi drejtuesve të Labinotit me bindjen se po sillte në skuadër një mbrojtës që do të linte gjurmë.

Dhe koha i dha plotësisht të drejtë.

Peqinasi u bë futbollisti i parë nga qyteti i tij që veshi fanellën e një prej skuadrave elitare të Shqipërisë jashtë Peqinit. Në Elbasan te ekipi i Labinotit ai gjeti një brez të artë futbollistësh dhe u rreshtua përkrah emrave më të mëdhenj të kohës: Ahmet Ahmetdani, Isa Hoxha, Frederik Jorgaqi, Enver Ibërshimi, Dhimitër dhe Petrit Gjika, Roland Çala, Fatmir Lamçe e shumë të tjerë.

Kovaçi i besoi menjëherë fanellën me numrin 5 dhe e vendosi në zemër të mbrojtjes, duke e rrethuar me vëllezërit Gjika. Ishte një vendim që rezultoi vizionar.

Që në ndeshjen e parë, Bujar Cani tregoi se ishte një mbrojtës i klasit të lartë. Autoriteti, qetësia, loja në ajër dhe siguria në çdo ndërhyrje e shndërruan shumë shpejt në një lojtar të pazëvendësueshëm. Me punën dhe talentin e tij fitoi respektin e bashkëlojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve, ndërsa paraqitjet spektakolare rritën ndjeshëm autoritetin dhe reputacionin e tij në futbollin shqiptar.

Vetë Bujar Cani nuk reshti kurrë së pranuari se një pjesë e madhe e suksesit të tij kishte një emër: Fadil Kovaçi. Ai e konsideronte trajnerin e tij jo vetëm si njeriun që i dha mundësinë e artë, por edhe si psikologun që besoi tek ai në momentin vendimtar të jetës sportive.

Labinoti u bë trampolina e madhe e karrierës së tij, ndërsa kulmi erdhi pas miqësores së zhvilluar në Tiranë më 9 nëntor 1969 mes përfaqësueses së skuadrave të kryeqytetit dhe asaj të rretheve. Aty Bujar Cani shkëlqeu në mënyrë të jashtëzakonshme dhe tërhoqi vëmendjen e trajnerit legjendar Loro Boriçi, i cili e afroi menjëherë te Partizani.

Në skuadrën kryeqytetase ai arriti kulmin e karrierës, duke u bërë një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar për pesë vite me radhë. Forma e tij e shkëlqyer i hapi dyert edhe të ekipit kombëtar, ku në vitin 1970 veshi për herë të parë fanellën kuqezi.

Një nga momentet më të paharrueshme mbetet sfida e 17 shkurtit 1971 kundër Republikës Federale të Gjermanisë. Përballë gjigantëve të futbollit botëror si Gerd Müller, Franz Beckenbauer, Sepp Maier, Wolfgang Overath, Karl-Heinz Schnellinger dhe Jupp Heynckes, Bujar Cani zhvilloi një paraqitje që mbeti gjatë në kujtesën e sportdashësve.

Karriera e tij u pasurua me tituj kampioni të Shqipërisë, fitore të Kupës, sukses si kampion ballkanik dhe me dhjetëra ndeshje të mëdha në nivel kombëtar, ku ndau fushën me kolosët e futbollit shqiptar.

Por, në mënyrën më të padrejtë, në kulmin e lavdisë, “biografia e keqe” u bë pengesa që i ndërpreu rrugën sportive. Ishte një goditje që ia ndali karrierën shumë më herët sesa meritonte talenti dhe kontributi i tij.

Megjithatë, historia nuk mund të fshihet. Dhe në çdo kapitull të saj, pranë emrit të Bujar Canit qëndron edhe emri i Fadil Kovaçit , trajnerit, mentorit dhe psikologut spektakolar që pa tek një djalë nga Peqini atë që më pas do ta shihte e gjithë Shqipëria: lindjen e një prej mbrojtësve më të mëdhenj të futbollit shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Festival golash në Houston, Gjermania i shënon 7 herë debutuesve të Kurasaos dhe e nis Botërorin me tre pikë

BOTËRORI 2026/Albania Express News/Gjermania e ka nisur me një...

Tragjike në SHBA, aeroplani rrëzohet menjëherë pas nisjes, humbin jetën 11 parashutistët dhe piloti

SHBA ,14 qershor 2026 /Albania Express News/Dymbëdhjetë persona humbën...