SHKODËR ,17 qershor 2026/Albania Express News/Pas deklaratës publike të deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, e cila iu drejtua familjes Bajri me një mesazh paralajmërues të shpërndarë në rrjetet sociale, ka ardhur reagimi i përfaqësuesit ligjor të tyre.
Avokati Sokol Tahiraj i familjes Bajri ka kundërshtuar deklaratat e deputetes, duke i cilësuar ato të pabazuara, denigruese dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Në reagimin e tij publik, Tahiraj thekson se askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht pa vendim të organeve kompetente të drejtësisë.
“Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet e drejtësisë”, deklaron avokati.
Reagimi i tij vjen pas mesazhit të publikuar më herët nga Koçeku, ku ajo i drejtohej familjes Bajri me një paralajmërim të drejtpërdrejtë, duke theksuar se nuk do të toleronte asnjë kërcënim ndaj familjarëve të saj.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruan Koçeku.
Deklarata e plotë e Tahirajt:
Në lidhje me deklaratat e bëra publikisht nga deputetja Marjana Koçeku, të cilat përmendin klientët tanë dhe i referohen atyre me etiketime denigruese e paragjykuese, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë.
Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues.
Deklaratat e deputetes, të cilat përmendin klientët tanë në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për më tepër, gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre.
Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre.
Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale.
Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.

