MILANO -ITALI ,10 qershor 2026/Albania Express News/Milani duket se ka gjetur trajnerin që do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ri.
Sipas raportimeve, Oliver Glasner është emri që ka bindur më së shumti drejtuesit kuqezi, përfshirë Zlatan Ibrahimovicin dhe drejtuesit e RedBird, gjatë procesit të gjatë të përzgjedhjes së pasuesit të Massimiliano Allegrit.
Megjithëse ende mungon firma zyrtare, marrëveshja mes palëve konsiderohet praktikisht e mbyllur. Glasner pritet të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me një pagë prej rreth 5 milionë eurosh në sezon, përfshirë bonuset. Mes objektivave kryesorë të vendosur në kontratë është rikthimi i Milanit në Ligën e Kampionëve.
Trajneri austriak ka pranuar ofertën e klubit lombard, i joshur nga historia dhe prestigji i Milanit. Ai pritet të marrë drejtimin e skuadrës pavarësisht se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar lidhur me rolin e Ralf Rangnick në strukturën drejtuese të klubit.
Ndërkohë, situata e Rangnick mbetet e paqartë. Gjermani, i cili ka në tavolinë edhe një ofertë për rinovim nga Federata Austriake e Futbollit, kërkon garanci për autonomi vendimmarrëse nëse do t’i bashkohet projektit të ri të Milanit.
Ai synon të ketë një rol kyç në menaxhimin sportiv të klubit dhe nuk dëshiron të jetë i varur nga vendimet apo ndikimi i Zlatan Ibrahimovicit. Për këtë arsye, negociatat mes palëve vazhdojnë dhe një vendim pritet të merret shumë shpejt, pasi klubi duhet të nisë planifikimin për sezonin e ardhshëm.
Një nga shqetësimet më të mëdha të tifozëve kuqezi mbetet e ardhmja e lojtarëve kryesorë të skuadrës. Në qendër të vëmendjes janë emra si Rafael Leao, Christian Pulisic, Mike Maignan, Adrien Rabiot, Ardon Jashari, Samuele Ricci dhe Strahinja Pavlovic.
Po ashtu, në diskutime është edhe Luka Modric, megjithëse situata e tij lidhet më shumë me një vendim personal sesa me planet e klubit.
Drejtuesit e Milanit pritet të japin së shpejti sinjale të qarta mbi të ardhmen e këtyre futbollistëve, pasi shumë prej tyre konsiderohen shtyllat e projektit sportiv. Vendimet që do të merren në javët e ardhshme do të jenë vendimtare për formën që do të marrë Milani i ri.

