Oltiana Rama, modeli i shkëlqyer i lidershipit me vlera dhe vizion europian ,zëri i fuqishëm shoqërisë civile shqiptare që po forcon demokracinë pjesëmarrëse dhe fuqizimin e të rinjve

INTERVISTOI  FATMIR POPJA

TIRANË ,10 qershor 2026/Albania Express News/Në një kohë kur shoqëritë demokratike kanë nevojë më shumë se kurrë për njerëz që ndërtojnë ura dialogu, nxisin pjesëmarrjen qytetare dhe besojnë te fuqia transformuese e komunitetit, emri i zj.Oltiana Ramës spikat si një prej figurave më të përkushtuara të shoqërisë civile shqiptare.

Me mbi dy dekada angazhim profesional në fushën e demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjes vendore, edukimit joformal, vullnetarizmit dhe fuqizimit të rinisë, ajo ka ndërtuar një rrugëtim të bazuar jo vetëm mbi ekspertizën dhe kërkimin shkencor, por mbi bindjen se ndryshimi i qëndrueshëm fillon nga njerëzit dhe nga besimi tek potenciali i tyre.

Si Drejtore Ekzekutive e Peace Volunteering Network, trajnuese, kërkuese dhe eksperte e angazhuar në projekte kombëtare e ndërkombëtare, Oltiana Rama ka qenë pjesë e nismave që kanë sjellë ndikim në zhvillimin e politikave publike, promovimin e demokracisë pjesëmarrëse, përfshirjen sociale dhe ndërtimin e kulturës së paqes. Përvoja e saj në programet europiane, Erasmus+, iniciativat e Këshillit të Europës dhe projektet ndërkombëtare ka krijuar një profil profesional të konsoliduar, ku teoria dhe praktika bashkohen në funksion të zhvillimit të komuniteteve.

Në të njëjtën kohë, kontributi i saj në kërkimin shkencor përmes studimeve mbi vullnetarizmin, pjesëmarrjen rinore, komunikimin efektiv, rehabilitimin, ekstremizmin e dhunshëm dhe përfshirjen sociale ka dëshmuar rëndësinë që ajo i kushton politikëbërjes së bazuar në evidencë dhe dëgjimit të zërit të qytetarëve.

Por përtej CV-së së pasur dhe roleve të shumta profesionale, intervista që ajo jep për “Albania Express News” zbulon dimensionin më njerëzor të këtij rrugëtimi. Në përgjigjet e saj nuk gjejmë vetëm analizë profesionale apo përvojë institucionale, por një filozofi jetese të ndërtuar mbi empatinë, integritetin, bashkëpunimin dhe besimin se çdo individ mund të bëhet pjesë e ndryshimit.

Në këtë bisedë ekskluzive, Oltiana Rama ndalet te sfidat dhe perspektivat e demokracisë shqiptare, fuqia e edukimit joformal, rëndësia e vullnetarizmit si instrument transformues i shoqërisë, përfshirja e të rinjve në vendimmarrje, roli i kërkimit shkencor në hartimin e politikave publike dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit mes institucioneve dhe shoqërisë civile.

Ajo flet me realizëm për sfidat financiare të sektorit civil, për nevojën e rikthimit të besimit tek të rinjtë dhe tek institucionet, por njëkohësisht përcjell një optimizëm të matur se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme për të ndërtuar një të ardhme më gjithëpërfshirëse, më demokratike dhe më solidare.

Një vend të veçantë në vizionin e saj zë vullnetarizmi, të cilin nuk e konsideron thjesht një aktivitet apo një rresht në një CV, por një mënyrë jetese dhe një formë konkrete të ushtrimit të qytetarisë aktive. Përmes eksperiencës së saj shumëvjeçare, ajo dëshmon se ndikimi i vërtetë nuk matet vetëm me statistika apo raporte, por me historitë njerëzore, me besimin që rikthehet dhe me jetët që ndryshojnë në heshtje.

Në këtë intervistë lexuesi do të njohë jo vetëm eksperten, trajneren dhe drejtuesen e organizatave me përvojë ndërkombëtare, por edhe nënën, qytetaren dhe njeriun që beson se ndryshimi fillon nga veprimet e vogla, nga përgjegjësia individuale dhe nga gatishmëria për të kontribuar përtej vetes.

Rubrika “Gratë që Frymëzojnë” ka për qëllim të sjellë në vëmendje histori që ndërtojnë modele pozitive për shoqërinë shqiptare. Historia e Oltiana Ramës është pikërisht një prej tyre: një histori e përkushtimit, e profesionalizmit, e lidershipit me vlera dhe e besimit të palëkundur se demokracia, paqja dhe zhvillimi ndërtohen çdo ditë përmes njerëzve që zgjedhin të mos jenë indiferentë.

INTERVISTA

Rubrika “Gratë që Frymëzojnë”
“Albania Express News”

Znj. Rama, si ka nisur rrugëtimi juaj në shoqërinë civile dhe çfarë ju shtyu të angazhoheni në fushën e demokracisë, pjesëmarrjes qytetare dhe të drejtave të njeriut?

Rrugëtimi im për të dhënë kontribut në shoqëri ka nisur që nga momenti kur vendosa të studioj shkencat sociale. Por përgjatë gjithë këtij udhëtimi kam kuptuar se kjo është më shumë se një profesion apo një formë angazhimi ,është një mision. Nuk është vetëm një mënyrë për të ndihmuar shoqërinë, por edhe një mënyrë fantastike për të zhvilluar veten në dimensione të ndryshme, për t’u bërë një njeri më i mirë çdo ditë dhe për të parë nga afër se çfarë mund të bëjmë më shumë për komunitetin dhe shoqërinë tonë.
Angazhimi im ka nisur me të rinjtë, me edukimin joformal, kulturën e paqes, vullnetarizmin, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Kam qenë gjithmonë e tërhequr nga puna me njerëzit, sidomos nga ideja e pjesëmarrjes, drejtësisë sociale dhe mundësisë që secili të ndihet i dëgjuar, i vlerësuar dhe pjesë e ndryshimit.
Për mua, demokracia nuk ka qenë kurrë vetëm një koncept politik ,demokracia është një stil jetese. Është mënyra si ndërtojmë besim, si bashkëpunojmë, si dëgjojmë mendimin ndryshe dhe si krijojmë hapësira ku njerëzit ndihen pjesë e zgjidhjeve.
Besoj shumë tek edukimi joformal, tek fuqia transformuese që ai ka në zhvillimin, mirëqenien dhe vetëbesimin tonë.

Prej më shumë se dy dekadash ju jeni aktive në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë këtij rrugëtimi profesional?

Çdo rrugëtim i gjatë ka sfidat e veta, dhe në fakt janë pikërisht sfidat ato që të bëjnë të reflektosh më thellë, të përmirësohesh vazhdimisht dhe të kuptosh më mirë se çfarë dhe si duhet të bëjmë që projektet dhe iniciativat të kenë një impakt real dhe afatgjatë.
Ndoshta një nga sfidat më të mëdha ka qenë të vazhdosh të ruash energjinë, besimin dhe kuptimin e punës edhe në momentet kur ndryshimi duket i ngadaltë, apo kur njerëzit ndihen të lodhur, skeptikë ose të distancuar nga njëri-tjetri, nga institucionet apo ndonjëherë edhe nga vetë ideja se gjërat mund të bëhen më mirë.
Një tjetër sfidë reale për shoqërinë civile mbetet aspekti financiar. Kur nuk ekzistojnë skema të sigurta dhe më afatgjata financimi, shumë iniciativa dhe projekte rrezikojnë të mbeten të fragmentizuara. Ka projekte vërtet inovative, me shumë potencial dhe impakt, por që impakti i tyre të vazhdojë, ai duhet të shkojë përtej të qenit thjesht një projekt  duhet të ketë mundësinë të rritet, të konsolidohet dhe të vazhdojë më gjatë. Kjo nuk është gjithmonë e mundur.
Por në të njëjtën kohë, kam parë shumë histori që të rikthejnë shpresën ,të rinj që gjejnë zërin e tyre, komunitete që bashkëpunojnë, njerëz që fillojnë të besojnë pak më shumë tek aftësia e tyre për të kontribuar dhe për të qenë pjesë e zgjidhjeve, institucione me te hapura dhe bashkpunuese etj. Dhe janë pikërisht këto momente që të kujtojnë pse ia vlen të vazhdosh.
Më pëlqen shumë një mendim i Nënë Terezës: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri te madhe.”

Si drejtoreshë ekzekutive e Peace Volunteering Network, cili është vizioni juaj për rolin që duhet të ketë vullnetarizmi në zhvillimin e shoqërisë shqiptare?

Vullnetarizmi është një nga temat më të dashura për mua. Është nga ku kam filluar vetë , madje në fillim kam qenë edhe skeptike, ashtu si pothuajse të gjithë njerëzit rreth meje. Ndoshta sepse si shoqëri ende nuk e vlerësojmë mjaftueshëm në shumë dimensione: personale, profesionale, shoqërore apo institucionale.
Por pas 22 vitesh përvojë  duke nisur vetë si vullnetare, duke vazhduar të angazhohem sa herë kam mundësi dhe duke punuar vazhdimisht që vullnetarizmi të ketë më shumë zë, hapësirë dhe mbështetje ,unë besoj fort se vullnetarizmi është fuqi.
Në një farë mënyre, vetë fjala vullnetarizëm e përmban këtë ide: gjithçka fillon me vullnetin tonë. Qofshim individë, organizata apo institucione, ndryshimi fillon nga vullneti për të bërë diçka të mirë për veten, për tjetrin dhe për komunitetin. Për mua, vullnetarizmi është guxim. Është një mënyrë për të ndryshuar veten, për t’u ndjerë i dobishëm, i lidhur me të tjerët, më i lumtur dhe më afër njerëzve që ndajnë të njëjtat vlera dhe dëshirë për të kontribuar.
Për Peace Volunteering Network, vullnetarizmi është një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë. Ne jemi pjesë e lëvizjes më të vjetër në botë për promovimin e paqes përmes vullnetarizmit , Service Civil International. Në mbi 100 vite ekzistence të kësaj lëvizjeje, por edhe në përditshmërinë tonë si organizatë, ne e shohim realisht fuqinë transformuese që vullnetarizmi ka në dimensionin individual, shoqëror dhe institucional.
Përmes programeve tona lokale, europiane dhe ndërkombëtare, të rinj  por jo vetëm , kanë pasur mundësinë të angazhohen si vullnetarë në vende të ndryshme të botës, ashtu si edhe shumë të rinj e individë nga vende të ndryshme kanë ardhur në Shqipëri. Dhe kur sheh këto eksperienca nga afër, e kupton se vullnetarizmi nuk transformon vetëm komunitetet; ai transformon edhe mënyrën si njerëzit shohin veten, tjetrin dhe botën.
Kemi realizuar edhe studime që tregojnë qartë impaktin që vullnetarizmi ka në zhvillimin personal, pjesëmarrjen qytetare, aftësitë, mirëqenien dhe ndjenjën e përkatësisë.
Shpesh perceptohet se vullnetarizmi është vetëm një mënyrë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Sigurisht që edhe kjo është pjesë e tij, por jo e gjitha. Për mua, vullnetarizmi është angazhim qytetar, është përgjegjësi individuale dhe institucionale. Nuk është thjesht një aktivitet apo një rresht në CV; është një mënyrë për të ushtruar qytetarinë, për të ndërtuar solidaritet, besim dhe ndjenjën se ne mund të kujdesemi për komunitetin tonë.
Së fundmi janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e kuadrit ligjor të vullnetarizmit dhe ka organizata që kanë kontribuar shumë në këtë drejtim. Hap pas hapi kjo fushë po merr më shumë vëmendje dhe mbështetje edhe nga institucionet kompetente. Megjithatë, ende kemi nevojë për më shumë ndërgjegjësim individual, më shumë kulturë pjesëmarrjeje, më shumë përgjegjësi dhe më shumë mbështetje institucionale.

Shqipëria ka një popullsi të re dhe dinamike. Sa i përfshirë mendoni se është sot brezi i ri në vendimmarrje dhe në jetën demokratike të vendit?

Unë mendoj se të rinjtë shqiptarë kanë shumë më tepër potencial, ide dhe energji sesa shpesh u njihet. Nuk besoj tek narrativa që të rinjtë “nuk duan të angazhohen”. Përvoja ime më ka treguar shpesh të kundërtën.
Por mendoj se ende kemi nevojë për më shumë hapësira reale pjesëmarrjeje, më shumë besim reciprok dhe më pak formalitet në mënyrën si i përfshijmë të rinjtë. Pjesëmarrja nuk duhet të jetë vetëm prezencë fizike në një aktivitet apo konsultim; duhet të jetë ndjenja dhe veprimi që mendimi yt dëgjohet, merret seriozisht dhe mund të ndikojë.

Ju keni punuar gjerësisht në fushën e angazhimit rinor dhe edukimit demokratik. Çfarë mungon sot më shumë tek të rinjtë shqiptarë: besimi, mundësitë apo motivimi?
Ndoshta nuk do ta shihja si një zgjedhje mes njërës apo tjetrës, sepse këto lidhen fort me njëra-tjetrën. Kam takuar shumë të rinj me motivim, kreativitet dhe dëshirë të sinqertë për të bërë diçka të mirë. Por ndonjëherë ajo që mungon është ndjenja se dikush beson tek ata, se ka hapësira reale ku mund të provojnë, të gabojnë, të mësojnë dhe të kontribuojnë.
Besimi është shumë i rëndësishëm — besimi tek vetja, tek njëri-tjetri, por edhe tek ideja që angazhimi ka kuptim. Dhe kjo është një përgjegjësi që nuk i takon vetëm të rinjve; i takon familjes, shkollës, institucioneve, shoqërisë civile dhe të gjithëve ne si shoqëri.
Kam parë shumë herë që kur një të riu i jepet mundësia, përgjegjësia dhe mbështetja e duhur, ai mund të të surprizojë pozitivisht.

Në eksperiencën tuaj, sa i rëndësishëm është edukimi joformal në formimin e liderëve të rinj dhe qytetarëve aktivë?

Për mua kjo është një nga temat më të rëndësishme dhe më afër zemrës sime.
Unë besoj shumë tek edukimi joformal ,jo sepse zëvendëson arsimin formal, por sepse sjell dimensione që shpesh na mungojnë në jetën dhe zhvillimin tonë: vetëbesimin, empatinë, komunikimin, mendimin kritik, aftësinë për të bashkëpunuar, për të kuptuar veten dhe tjetrin.
Shpesh them se edukimi joformal nuk të mëson vetëm çfarë të mendosh; të ndihmon të reflektosh, të pyesësh, të dëgjosh, të eksperimentosh dhe të kuptosh më mirë vendin tënd në shoqëri.

Kam parë të rinj që pas një eksperience vullnetarizmi, shkëmbimi ndërkombëtar, trajnimi apo projekti komunitar kanë fituar më shumë vetëbesim, më shumë aftësi, më shumë zë dhe ndonjëherë edhe një drejtim krejtësisht të ri në jetën e tyre.
Dhe kjo është arsyeja pse besoj fort se edukimi joformal nuk ndërton vetëm liderë të rinj; ndërton njerëz më të ndërgjegjshëm, më aktivë dhe më të lidhur me komunitetin dhe botën përreth tyre.

Përmes projekteve Erasmus+ dhe programeve europiane, ju keni bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare. Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga modelet europiane të pjesëmarrjes qytetare?

Kam pasur fatin të punoj dhe të bashkëpunoj me shumë organizata, institucione dhe komunitete nga vende të ndryshme europiane dhe, përtej modeleve apo strukturave, një nga gjërat që më ka bërë më shumë përshtypje është kultura e besimit, bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes.
Nuk besoj se ka modele perfekte apo receta që kopjohen. Çdo vend ka realitetin, historinë dhe sfidat e veta. Por mendoj se kemi shumë për të mësuar nga mënyrat si krijohen hapësira reale dialogu, si ndërtohen partneritete më të forta mes institucioneve, qytetarëve dhe shoqërisë civile, dhe si pjesëmarrja shihet jo si formalitet, por si vlerë.
Nga ana tjetër, mendoj se edhe Shqipëria ka shumë potencial, për të kontribuar në këto diskutime.
Në fund të fundit, demokracia dhe pjesëmarrja nuk ndërtohen duke importuar modele; ndërtohen duke ndërtuar besim, kulturë dialogu dhe përgjegjësi të përbashkët në realitetin tonë. Ndonjehere gjithe bashkpunimet , vecanerisht te vendeve me modele pozitive sheh se ndonjehere na duhet te bejme gjerat me thjesht- thjeshtesia shpesh here eshte proges I jashtazakonshem.

Ju jeni autore dhe bashkautore e disa kërkimeve dhe studimeve të rëndësishme. Sa ndikon kërkimi shkencor në hartimin e politikave publike në Shqipëri?

Unë besoj se kërkimi shkencor ka një rol shumë të rëndësishëm, sepse na ndihmon të kuptojmë më mirë realitetin, nevojat, perceptimet dhe atë çfarë realisht funksionon apo nuk funksionon. Politikat publike kanë më shumë gjasa të kenë impakt kur ndërtohen mbi evidenca, mbi të dhëna dhe mbi zërat e njerëzve që preken prej tyre.
Nga ana tjetër, mendoj se ende kemi hapësirë për ta forcuar më shumë lidhjen mes kërkimit dhe praktikes: politikëbërjes, institucioneve, universiteteve dhe shoqërisë civile.

Ndonjëherë prodhohen studime shumë të vlefshme, por sfida mbetet si këto njohuri të mos mbeten vetëm në dokumente apo diskutime profesionale, por të përkthehen në vendimmarrje më të informuar dhe në politika që i përgjigjen më mirë jetës reale të njerëzve.
Për mua, kërkimi nuk është thjesht proces akademik. Është edhe një mënyrë për të dëgjuar më me kujdes shoqërinë.

Studimi juaj mbi perceptimin e vullnetarizmit në Ballkanin Perëndimor ka tërhequr vëmendje. Cilat janë gjetjet më domethënëse që do të veçonit?

Një nga gjetjet që më ka bërë më shumë përshtypje është se, pavarësisht sfidave apo perceptimeve të ndryshme që ekzistojnë në rajonin tonë, vullnetarizmi ka një potencial shumë më të madh sesa shpesh mendojmë — sidomos tek të rinjtë.
Studimi tregoi se vullnetarizmi lidhet jo vetëm me ndihmën ndaj të tjerëve, por edhe me zhvillimin personal, mirëqenien, aftësitë, ndjenjën e përkatësisë, pjesëmarrjen qytetare dhe besimin tek vetja dhe komuniteti.
Por një tjetër element i rëndësishëm ishte se ende ekzistojnë barriera që lidhen me kulturën e vlerësimit të vullnetarizmit, mungesën e informacionit, hapësirave, njohjes apo mbështetjes institucionale.
Ndoshta një nga reflektimet më të bukura që më ka lënë ky studim është se njerëzit shpesh kanë më shumë dëshirë për të kontribuar sesa ne arrijmë të shohim apo të krijojmë mundësi për këtë kontribut.

Cilat kanë qenë momentet më emocionuese apo më frymëzuese në karrierën tuaj profesionale?

Është e vështirë të veçoj vetëm disa momente, sepse pas më shumë se dy dekadash ka shumë histori që mbeten me ty.
Por nëse do të duhej të zgjidhja, ndoshta momentet më frymëzuese nuk kanë qenë domosdoshmërisht ato më “të mëdhatë” apo më të dukshmet profesionalisht. Kanë qenë ato momente kur sheh një të ri të fitojë besim tek vetja, një komunitet të bashkëpunojë ndryshe, një individ të gjejë zërin e tij, apo kur kupton se një iniciativë, sado e vogël, ka lënë një gjurmë pozitive në jetën e dikujt.
Kam mësuar gjatë viteve se impakti nuk matet gjithmonë vetëm me numra, raporte apo rezultate të menjëhershme. Ndonjëherë matet me ndryshimet e vogla apo të mëdha që ndodhin tek njerëzit dhe që vazhdojnë gjatë në kohë.
Më pëlqen shumë një ide e Viktor Frankl që thotë se kuptimi gjendet shpesh në mënyrën si zgjedhim të kontribuojmë përtej vetes sonë.

Çfarë ju motivon të vazhdoni edhe pas kaq shumë vitesh angazhim në komunitet dhe në sektorin civil?
Ndoshta përgjigjja më e sinqertë është: njerëzit.
Më motivojnë historitë e vogla të transformimit që kam pasur fatin të shoh gjatë viteve — të rinj që rriten, njerëz që fitojnë më shumë besim tek vetja, komunitete që gjejnë mënyra për të bashkëpunuar apo individë që kuptojnë se zëri dhe kontributi i tyre kanë vlerë.
Por ka edhe momente shumë të veçanta, që ndoshta janë ndër motivimet më të mëdha për mua. Janë ato raste kur pas 15 apo 20 vitesh, dikush rikthehet dhe të thotë: “Ti dhe organizata juaj keni ndryshuar jetën time”, apo të tregon se si është frymëzuar, si ka marrë një drejtim tjetër, si ka fituar më shumë besim tek vetja apo ka zgjedhur të kontribuojë ndryshe në jetë dhe në shoqëri.

Dhe ajo që të prek më shumë është se shpesh janë momente që ti vetë nuk i mban mend  nuk e kujton saktësisht kur apo si kanë ndodhur. Por mua ka qënë një bisedë, një trajnim apo një këshille a zakonshme, e dhene natyrshemë por sigurisht me shume dashuri, por për dikë ka qënë moment ktheje: dikur ka qenë një i ri në një aktivitet, trajnim apo eksperiencë vullnetarizmi, ai moment ka lënë një gjurmë të thellë. Kur i sheh sot më të rritur, që rikthehen për të shprehur mirënjohjen e tyre, kupton jo vetëm impaktin që puna jonë mund të ketë në jetën e njerëzve, por edhe faktin se vlera si mirënjohja, empatia dhe dëshira për të kthyer të mirën janë kultivuar dhe kanë mbetur pjesë e tyre.
Më vjen shpesh ndër mend një shprehje popullore që thotë: “Ai që i bie kambanës, nuk e di kurrë sa larg shkon tingulli i saj.”
Dhe ndoshta pikërisht këtu kupton sa shumë fuqi ka secili individ për të ndikuar në jetën e një tjetri dhe në shoqërinë përreth. Sfida është të dimë ta përdorim këtë potencial me përgjegjësi, me vetëdije.
Sigurisht që ka pasur edhe momente lodhjeje, reflektimi apo pyetjeje  dhe besoj se kjo është shumë njerëzore. Por ndoshta pikërisht në ato momente kupton më mirë pse e ke nisur këtë rrugëtim.

Në këndvështrimin tuaj, cilat janë problemet më urgjente që duhet të adresohen sot për të rinjtë në Shqipëri?

Mendoj se të rinjtë sot përballen me disa sfida që lidhen fort me njëra-tjetrën: siguria për të ardhmen, mundësitë reale për zhvillim, mirëqenia emocionale, cilësia e arsimit, punësimi, por edhe ndjenja e besimit dhe përkatësisë.
Shpesh flasim për të rinjtë vetëm në aspektin e punësimit apo emigracionit  dhe sigurisht këto janë tema shumë të rëndësishme  por mendoj se kemi nevojë të flasim më shumë edhe për mirëqenien, për shëndetin mendor, për ndjesinë e të qenit i dëgjuar, i vlerësuar dhe i aftë për të ndërtuar një jetë me dinjitet dhe kuptim në vendin tënd.
Kam takuar shumë të rinj të talentuar, të zgjuar, të ndjeshëm dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Pyetja ndonjëherë nuk është nëse ata kanë kapacitete, por nëse ne si shoqëri po arrijmë të krijojmë mjaftueshëm hapësira ku ky potencial të mund të zhvillohet.
Dhe ndoshta një nga nevojat më të mëdha sot është rikthimi i besimit  besimit tek vetja, tek mundësitë, tek bashkëpunimi dhe tek ideja se angazhimi dhe përpjekja mund të kenë kuptim.

Çfarë rëndësie ka bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile për zhvillimin e vendit?

Për mua, bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe shoqërisë civile nuk është thjesht i rëndësishëm  i domosdoshëm, është kyç.
Shoqëria civile është shpesh shumë pranë komuniteteve, nevojave, sfidave dhe zërave që jo gjithmonë arrijnë të dëgjohen mjaftueshëm. Institucionet, nga ana tjetër, kanë rolin dhe përgjegjësinë për të ndërtuar politika, mekanizma dhe zgjidhje më të gjera.
Kur këto dy botë bashkëpunojnë me besim, profesionalizëm dhe respekt reciprok, mund të krijohen procese shumë më të forta dhe më të qëndrueshme.
Sigurisht, bashkëpunimi nuk do të thotë gjithmonë të mendosh njësoj. Ndonjëherë do të thotë edhe të bësh pyetje të vështira, të sjellësh perspektiva të ndryshme apo të kërkosh më shumë reflektim dhe përmirësim. Dhe besoj se kjo është e shëndetshme për çdo shoqëri.
Në fund të fundit, zhvillimi i një vendi nuk ndërtohet nga një aktor i vetëm. Ai ndërtohet kur secili sjell përgjegjësinë, kompetencën dhe kontributin e vet në të mirën e përbashkët.

Nëse do t’ju duhej të jepnit një mesazh për vajzat dhe gratë e reja shqiptare që ëndërrojnë të ndërtojnë një karrierë me ndikim, cili do të ishte ai?

Ndoshta nuk do ta quaja mesazh, por më shumë një reflektim që vjen nga përvoja ime personale dhe profesionale.
Do të doja që vajzat dhe gratë e reja të mos e nënvlerësonin forcën, autenticitetin dhe potencialin që kanë. Jo sepse rrugëtimi është gjithmonë i lehtë  shpesh nuk është , por sepse ndikimi nuk ndërtohet vetëm nga pozicionet, titujt apo perfeksioni.
Ndërtohet nga integriteti, nga puna e vazhdueshme, nga aftësia për të mësuar, për t’u ngritur pas vështirësive, për të mbetur njerëzor dhe për të mos humbur lidhjen me vlerat që të udhëheqin.
Dhe ndoshta një gjë që kam mësuar me kohën është se nuk kemi nevojë të jemi gjithmonë “gati” për të hedhur hapin tjetër. Ndonjëherë rritemi pikërisht duke guxuar të ecim edhe kur kemi ende pyetje, pasiguri apo frikë.
Më pëlqen shumë një shprehje e Eleanor Roosevelt që thotë: “Do one thing every day that scares you.” Jo sepse duhet të jetojmë në frikë, por sepse rritja dhe besimi tek vetja shpesh lindin pikërisht kur dalim pak përtej kufijve që i kemi vendosur vetes dhe përtej zonës së rehatisë.

Si e imagjinoni Shqipërinë e së ardhmes në aspektin e demokracisë, përfshirjes qytetare dhe aktivizmit rinor?

Mbi të gjitha, unë dua që Shqipëria të jetë një vend i mirë për të jetuar për çdo shqiptar. Një vend ku të rinjtë, profesionistët, familjet apo njerëzit në faza të ndryshme të jetës të mos ndihen të detyruar të largohen në këto përmasa për të kërkuar një jetë më të mirë, më shumë siguri apo më shumë mundësi.
Unë besoj sinqerisht se Shqipëria mund të jetë ideal për të jetuar, nëse arrijmë të përdorim më mirë potencialet, burimet, kapacitetet që kemi. Sepse ne kemi shumë më tepër vlera, mundësi dhe fuqi sesa ndonjëherë i njohim vetes.
Në aspektin e demokracisë, përfshirjes qytetare dhe aktivizmit rinor, do të doja një Shqipëri ku njerëzit ndihen më të dëgjuar, më të përfshirë dhe më pak të distancuar nga njëri-tjetri dhe nga proceset që ndikojnë jetën e tyre.
Do të doja institucione që punojnë me më shumë përkushtim, transparencë dhe përgjegjësi; institucione që janë më të hapura ndaj bashkëpunimit, dialogut dhe ideve të reja. Por mbi të gjitha, do të doja që ne si individë , pavarësisht roleve, profesioneve apo pozicioneve tona , të kemi më shumë mendësi të hapur, më shumë pozitivitet, më shumë përgjegjësi dhe më shumë gatishmëri për të kontribuar.
Do të doja të shihja një shoqëri civile më të fortë, me më shumë kapacitete, më shumë zë, më shumë mbështetje dhe më shumë mundësi për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Një shoqëri civile që vazhdon të mbetet pranë qytetarëve, por që njëkohësisht vlerësohet më shumë për rolin dhe kontributin që jep.
Po ashtu, do të doja të shihja më shumë bashkëpunim ndërsektorial dhe më shumë besim ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile, universiteteve, komuniteteve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë. Besoj se kemi nevojë të kalojmë gradualisht nga skepticizmi dhe ndarja drejt kulturave më të forta të partneritetit, pa humbur rolet, përgjegjësitë dhe pavarësinë e secilit.
Mendoj se kemi nevojë edhe për një ndryshim të perceptimit ndaj shoqërisë civile. Shoqëria civile nuk është thjesht projekte apo organizata; është energji qytetare, është pjesëmarrje, është njerëz që zgjedhin të kontribuojnë dhe të mos jenë indiferentë. Sepse ndryshimi nuk ndërtohet vetëm nga strukturat apo politikat; ndërtohet edhe nga mënyra si ne zgjedhim të mendojmë, të bashkëpunojmë dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin.

Cilat janë projektet apo iniciativat ku jeni aktualisht e angazhuar dhe çfarë synoni të arrini përmes tyre?

Aktualisht jam e angazhuar në disa iniciativa që lidhen me temat që kanë qenë afër zemrës sime përgjatë gjithë rrugëtimit profesional: demokracia, pjesëmarrja qytetare, rinia, vullnetarizmi, paqja, edukimi joformal dhe ndërtimi i komuniteteve më të forta dhe më gjithëpërfshirëse.
Një nga iniciativat ku jam shumë e përkushtuar është Platforma për Demokraci dhe Paqe – një nismë që synon të krijojë një hapësirë reale ndërveprimi, dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, institucioneve, shoqërisë civile, të rinjve, akademisë dhe partnerëve kombëtarë e ndërkombëtarë. Për mua është shumë e rëndësishme sepse sjell perspektivën europiane, por njëkohësisht i jep zë dhe hapësirë qytetarëve dhe aktorëve të ndryshëm për të qenë pjesë aktive e diskutimeve dhe zgjidhjeve. Kjo nisem e quajjtur Thu’Je pilotohet per here te pare ne Elbasan ne 28-30 Tetor 2026, me qellimin te kthehet ne tradite dhe ku Elbasani te jete nje Hub per demokarcne dhe paqen, per te mbledhur indvid dhe institucione nga gjithe Europa sin je mendesi per dialog dhe ndertimin e urave te bashkpunimit.
Një tjetër fokus shumë i rëndësishëm mbetet puna për të ndërtuar më tej një hub për vullnetarizmin, aktivizmin rinor dhe komunitar, ku njerëzit ,sidomos të rinjtë , të kenë më shumë mundësi për t’u angazhuar, për të zhvilluar potencialin e tyre dhe për tu fuqizuar në mënyrë kuptimplotë.
Më shumë se tek projektet në vetvete, ajo që përpiqem të mbaj gjithmonë në fokus është ideja që impakti të shkojë përtej një aktiviteti apo një periudhe projekti; të lërë kapacitete, marrëdhënie, besim, vazhdimësi dhe njerëz më të fuqizuar.

Në fund, kush është Oltiana Rama përtej angazhimeve profesionale: çfarë vlerash, pasionesh dhe filozofie jetese e udhëheqin në përditshmëri?

Përtej roleve profesionale, unë jam para së gjithash nënë e dy fëmijëve. Si për çdo prind, ata janë mbi çdo arritje, mbi çdo projekt, mbi çdo titull apo rol profesional.
Fëmijët të ndryshojnë mënyrën si e sheh jetën. Të bëjnë të reflektosh më thellë mbi atë çfarë ka vërtet rëndësi, mbi llojin e shoqërisë që po ndërtojmë dhe mbi përgjegjësinë që kemi ndaj brezave që vijnë.
Në të njëjtën kohë, jam një person që pëlqen t’i bëjë gjërat pa shumë vizibilitet ,si në punë, ashtu edhe në jetën personale. Ndër vite më keni ftuar disa herë në studio apo në hapësira publike dhe, në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, kam hezituar shpesh. Ndoshta sepse besoj se ka ndjesi aq të bukura sa nuk arrin gjithmonë t’i shprehësh me fjalë, dhe ka momente që dëshiron t’i mbash për vete dhe për njerëzit e tu, pa qenë nevoja t’i dijë e gjithë bota.
Dhe pikërisht për këtë arsye, dua t’ju falënderoj shumë për këtë intervistë dhe për mënyrën si e keni përmbledhur këtë rrugëtim. Kur lexova prezantimin e bërë për mua, mendova me buzëqeshje: “Të gjitha këto janë të miat?” Ndonjëherë, mes përditshmërisë, ritmit të lartë të jetës dhe ngarkesës së punës, harrojmë të ndalojmë pak dhe të kujtojmë kush jemi, nga kemi ardhur dhe çfarë rruge kemi bërë.
Dhe, kur pashë pyetjet, mendova se qenkan më sfiduese se të shkruash një projekt. Por në të njëjtën kohë, kjo intervistë më solli një frymëzim të jashtëzakonshëm, sepse më riktheu në kohë , mes kujtimesh, sfidash, njerëzish, mësimesh dhe arritjesh , që më bënë të them me mirënjohje: Ja ku jam… e plotësuar, mirënjohëse për rrugëtimin deri këtu dhe ende me dëshirën për të vazhduar të ndërtoj një rrugë me kuptim dhe impakt.

 Znj. Rama, si e vlerësoni rolin e medias në fuqizimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare, dhe çfarë mendimi keni për kontributin e Albania Express News?

Besoj se media ka një rol thelbësor në çdo shoqëri demokratike. Ajo nuk është vetëm një burim informacioni, por edhe një hapësirë ku ndërtohet dialogu publik, ku dëgjohen zëra të ndryshëm dhe ku krijohen mundësi për reflektim, ndërgjegjësim dhe pjesëmarrje qytetare.

Në një kohë kur përballemi me ritme të shpejta informacioni dhe me sfida të shumta komunikimi, mendoj se media që zgjedh të promovojë histori me vlera, modele pozitive, angazhim qytetar dhe iniciativa që sjellin ndryshim në komunitet, jep një kontribut shumë të rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë.

Në këtë këndvështrim, e vlerësoj pozitivisht iniciativën e Albania Express News për të krijuar hapësira si rubrika “Gratë që Frymëzojnë”, e cila sjell në vëmendje histori, përvoja dhe modele që mund të motivojnë të tjerët. Mendoj se është shumë e rëndësishme që krahas raportimit të përditshëm të lajmeve, të krijohen edhe mundësi për të promovuar dialogun, qytetarinë aktive, kontributin social dhe shembujt e mirë që ekzistojnë në vendin tonë.

Ju falënderoj për këtë intervistë dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën i qaseni historive njerëzore dhe profesionale. Shpresoj që media të vazhdojë të mbetet një urë bashkëpunimi mes qytetarëve, institucioneve dhe shoqërisë civile, duke nxitur më shumë besim, pjesëmarrje dhe përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e vendit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Protestë Homo Sapiens apo Homoseksuale?

Nga Klevi Elezi, Analist Protesta është një nga shprehjet më...

Kryeministri Edi Rama: Milot-Balldren do t’i japë një shtysë të re turizmit dhe ekonomisë në veri të vendit

TIRANË, 10 qershor 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama...

Në Milano janë të sigurt, kuqezinjtë zgjedhin trajnerin që u shpall kampion në Europë për sezonin e ardhshëm

MILANO -ITALI ,10 qershor 2026/Albania Express News/Milani duket se...