Në Elbasan starton Kampionati Ballkanik i Pingpongut për të Rinjtë me pjesmarrjen e 13 shteteve dhe 150 sportistëve

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN ,24 qershor 2026/Albania Express News/-Pas disa vitesh mungesë nga kalendari i aktiviteteve madhore sportive ndërkombëtare në vend, Shqipëria është rikthyer në qendër të vëmendjes së sportit ballkanik, duke mirëpritur edicionin e 33-të të Kampionatit Ballkanik të Pingpongut për të Rinjtë.Aktiviteti po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, nga data 24 deri më 28 qershor, duke mbledhur sportistët më premtues të rajonit në një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për këtë disiplinë sportive.

Ky kampionat shënon një moment historik jo vetëm për sportin shqiptar, por edhe për vetë Federatën Ballkanike të Pingpongut, pasi për herë të parë në histori marrin pjesë 13 shtete, duke vendosur një rekord të ri pjesëmarrjeje. Në total, rreth 150 sportistë, trajnerë, drejtues ekipesh dhe zyrtarë sportivë janë bërë pjesë e këtij eventi, duke e kthyer Elbasanin në një qendër të rëndësishme të sportit ballkanik për pesë ditë me radhë.

Shqipëria paraqitet në këtë kampionat me delegacionin më të madh mes vendeve pjesëmarrëse, duke aktivizuar 22 sportistë të rinj, çka dëshmon investimin dhe përkushtimin për zhvillimin e pingpongut në vend.

Ceremonia hapëse u zhvillua në një atmosferë festive dhe entuziaste, ku morën pjesë drejtues të institucioneve sportive shqiptare dhe përfaqësues të lartë të organizmave ballkanikë të pingpongut., zyrtarë të bashkisë Elbasan dhe të Klubit Shumësportësh Elbasani .Të pranishmit vlerësuan organizimin, mikpritjen dhe standardet e krijuara për zhvillimin e garave.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, në fjalën e tij përshëndetëse u uroi mirëseardhjen të gjitha delegacioneve sportive që përfaqësojnë 13 shtete të Ballkanit. Ai vlerësoi rëndësinë e organizimit të këtij kampionati në Shqipëri dhe shprehu kënaqësinë për përgatitjet e bëra me shumë kujdes në çdo aspekt dhe në kohën e duhur .

“Ky është një aktivitet me rëndësi të veçantë për sportin shqiptar dhe për marrëdhëniet sportive në rajon. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar kushte optimale dhe standardet më të mira të mundshme për zhvillimin e garave,” theksoi Ylli.

Nga ana e tij, Presidenti i Federatës Shqiptare të Pingpongut dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it, Krenar Dila, u shpreh optimist për nivelin e kampionatit dhe performancën e sportistëve.

Ai theksoi se ky event përbën një mundësi të shkëlqyer për të rinjtë që të tregojnë talentin e tyre, duke shpresuar që çdo ekip të japë maksimumin në përfaqësimin e vendit që përfaqëson.

Një vlerësim të veçantë për organizimin e kampionatit dha edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Pingpongut, Miloard Trpkovski, i cili u shpreh i impresionuar nga niveli i përgatitjeve dhe pjesëmarrja e një numri rekord sportistësh.

“Çdo gjë këtu është perfekte dhe jam shumë i lumtur që pas 11 vitesh rikthehemi sërish në Shqipëri. Janë 13 shtete pjesëmarrëse dhe ky është numri më i madh në historinë e kampionatit. Është një eveniment i veçantë dhe falënderoj organizatorët për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në Elbasan,” deklaroi Trpkovski.

Organizatorët theksuan se rikthimi i Kampionatit Ballkanik të Pingpongut në Shqipëri përbën një dëshmi të besimit që institucionet sportive të rajonit kanë ndaj vendit tonë dhe kapaciteteve organizative të federatave shqiptare. Njëkohësisht, ky aktivitet shihet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e pingpongut në Shqipëri, rritjen e nivelit konkurrues të sportistëve vendas dhe forcimin e bashkëpunimit sportiv ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Garat kanë nisur që në orët e para të paradites së sotme, ndërsa sportistët e rinj po përballen në një konkurrencë të fortë për titujt ballkanikë. Për pesë ditë me radhë, Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” do të jetë arena ku do të dalin kampionët e rinj të Ballkanit në pingpong, në një aktivitet që shkon përtej garës sportive, duke shërbyer edhe si urë bashkëpunimi, miqësie dhe afrimi mes të rinjve të vendeve pjesëmarrëse.

Me pjesëmarrjen rekord, organizimin e vlerësuar nga drejtuesit ndërkombëtarë dhe entuziazmin e sportistëve të rinj, Kampionati Ballkanik i Pingpongut në Elbasan pritet të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të këtij viti në Shqipëri, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më të madh të vendit tonë në organizimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare.

Ky kampionat nuk është vetëm një garë sportive, por edhe një festë e vërtetë e rinisë ballkanike. Për pesë ditë me radhë, Elbasani e ka të gjithë vëmendjen te talentet më premtuese të pingpongut nga 13 vende të rajonit, duke krijuar një atmosferë të veçantë konkurrence, miqësie dhe respekti reciprok. Përmes sportit, të rinjtë do të kenë mundësinë jo vetëm të matin forcat në tavolinën e lojës, por edhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe miqësie që shkojnë përtej kufijve shtetërorë.
Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” tashmë është shndërruar në arenën kryesore të pingpongut ballkanik, ku çdo ndeshje pritet të sjellë emocione të forta, rivalitet sportiv dhe momente të paharrueshme. Pjesëmarrja e 13 shteteve ,Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Qipros, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Turqisë e bën këtë edicion një nga më të mëdhenjtë dhe më përfaqësuesit në historinë e kampionatit.

Për qytetin e Elbasanit, organizimi i këtij aktiviteti përbën një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar dhe një mundësi të shkëlqyer për promovimin e qytetit si një destinacion i rëndësishëm sportiv. Ndërkohë, për Shqipërinë, ky kampionat është një dëshmi e aftësisë organizative dhe e rolit gjithnjë në rritje që vendi ynë po merr në organizimin e aktiviteteve sportive rajonale dhe ndërkombëtare.

Në fund të garave, përveç medaljeve dhe titujve të kampionëve ballkanikë, fitues do të jetë edhe vetë sporti, i cili vazhdon të bashkojë të rinjtë e rajonit në frymën e fair-play, respektit dhe bashkëpunimit. Elbasani, për disa ditë, do të jetë zemra e pingpongut ballkanik dhe një shembull i bukur i asaj që sporti mund të arrijë kur bashkon popujt përmes talentit dhe pasionit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Vila ikonike e Berlusconit shitet për 350 milionë euro, familja mbretërore e Katarit zgjeron investimet në Itali

ITALI ,24 qershor 2026/Albania Express News/-Villa Certosa, rezidenca luksoze...

Kalaja e Elbasanit drejt një transformimi të ri , nga 1 korriku 2026 zona historike do të jetë pedonale për vizitorët

ELBASAN ,24 qershor 2026 /Albania Express News/-Bashkia e Elbasanit...

Universiteti i Shkodrës në qendër të debatit shkencor ndërkombëtar për vlerësimin psikologjik, zhvillohet me sukses konferenca ASPA-26

SHKODËR ,24 qershor 2026/Albania Express News/-Universiteti i Shkodrës “Luigj...