Ndahet nga jeta gruaja më e moshuar e Qarkut Elbasan, Sabrije Shkurti, 105-vjeçarja nga Librazhdi, kujtesë e gjallë e tre epokave shqiptare

Është ndarë nga jeta gruaja më e moshuar e Qarkut Elbasan, Sabrije Shkurti, gruaja 105-vjeçare nga fshati Dorëz i Njësisë Administrative Qendër, në bashkinë e Librazhdit. Sabrije Shkurti është konsideruar një nga gratë më jetëgjata jo vetëm të Qarkut të Elbasanit, por edhe të Shqipërisë. Me largimin e saj nga kjo botë, komuniteti humbet jo thjesht një jetë të gjatë, por një dëshmi të gjallë të historisë shqiptare.

E lindur më 5 tetor 1920, Nënë Sabrija jetoi plot një shekull e pesë vjet, duke përjetuar tri epoka të rëndësishme të vendit: Mbretërinë e Zogut, periudhën e diktaturës komuniste dhe vitet e demokracisë. Jeta e saj ishte e thurur me sakrifica, punë të palodhur dhe një dashuri të pashtershme për familjen.

E mbetur pa nënë që në fëmijëri dhe e rritur në kushte të vështira, ajo u martua vetëm 16 vjeçe dhe shumë herët u përball me dhimbjen e humbjes së bashkëshortit, duke mbetur e vetme për të rritur pesë fëmijë. Me dy norma pune në kooperativë dhe me një forcë të rrallë shpirtërore, Nënë Sabrija nuk u ankua kurrë, por ndërtoi një familje të madhe, sot me nipër, mbesa, stërnipër e stërmbesa.

Gjatë gjithë jetës, ajo gëzoi shëndet të mirë dhe nuk u shtrua asnjëherë në spital. Ushqimi natyral, largimi nga duhani e alkooli dhe një jetë e thjeshtë, e bazuar në vlera, ishin, sipas saj, sekreti i jetëgjatësisë. “Thesari im janë robt e shtëpisë,” shprehej shpesh, duke treguar se pasuria më e madhe për të ishte familja.

Me mendje të kthjellët deri në fund, Nënë Sabrija kujtonte me qartësi periudhat historike që kishte kaluar, duke folur me maturi për secilën prej tyre. Ajo ishte një figurë e dashur për gjithë komunitetin, një nënë e të gjithëve, dera e së cilës ishte gjithmonë e hapur për këdo që kërkonte një fjalë të mirë apo një buzëqeshje.

Ndarja e saj nga jeta lë një boshllëk të madh në familjen Shkurti dhe në gjithë zonën e Librazhdit. Ajo iku nga kjo botë duke lënë pas një trashëgimi të vyer njerëzore: punën, përulësinë, besimin dhe dashurinë për jetën.

Familjarëve dhe të afërmve, Redaksia e Albania Express News shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Kujtimi i Nënë Sabrije Shkurtit do të mbetet i gjallë si simbol i forcës, qëndresës dhe mençurisë shqiptare. U prehtë në paqe.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Gjithçka mbetet e hapur

Nga Erion Sqapi AF Elbasani reagoi në mënyrën më të...

Sot shënohet 180-vjetori i lindjes së rilindasit të shquar Naim Frashëri.

PËRMET,25 maj 2026/Albania Express News/Naim Frashëri (Frashër, 25 maj...

Marrëveshja me Iranin, Trump-negociatorëve amerikanë: Mos u nxitoni

SHBA,25 maj 2026/Albania Express News/Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi...

Moti sot/ E hëna me kthjellime dhe reshje lokale shiu, ja zonat që preken

TIRANË,25 maj 2026/Albania Express News/Kjo e hënë do të...