Zjarret në qarkun e Elbasanit / Mali i Dardhës në Librazhd dhe Mali i Qukësit në Prrenjas vijojnë nën monitorim

TIRANË , 28 gusht 2026/Albania Express News/-Vatrat e zjarrit në qarkun e Elbasanit që janë aktive prej më shumë se 3 javësh në dy zona malore vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje nga shërbimet zjarrfikëse, ndërsa aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Situata mbetet e ndërlikuar në malin e Dardhës në bashkinë e Librazhdit dhe malin e Qukësit në bashkinë e Prrenjasit, ku terreni i vështirë, temperaturat e larta dhe erërat kanë favorizuar në disa momente riaktivizimin e vatrave të izoluara.

Në malin e Dardhës, vatra konsiderohet veçanërisht problematike për shkak të sipërfaqes së konsiderueshme të prekur, por edhe kushteve të terrenit ku po zhvillohet operacioni. Zona është malore, e thyer dhe e vështirë për t’u aksesuar nga mjetet zjarrfikëse.

Një tjetër faktor që e komplikon situatën është prania e një shtrese të trashë humusi, trungjeve dhe drurëve të thatë. Këto materiale mund të mbajnë nxehtësinë dhe të favorizojnë riaktivizimin e flakëve edhe pasi zjarri duket se është izoluar.

Sipas bilancit të fundit operacional, sipërfaqja totale e dëmtuar nga zjarri në malin e Dardhës ka arritur në rreth 8 hektarë.

Edhe në malin e Qukësit, në Njësinë Administrative Qukës të Bashkisë Prrenjas, situata vijon të jetë nën monitorimin e shërbimit zjarrfikës.

Zjarri, i cili është riaktivizuar në pjesën veri-perëndimore të vatrës, është përballuar me ndërhyrje të menjëhershme të forcave zjarrfikëse të Bashkisë Prrenjas. Për shkak të terrenit të thyer, temperaturave të larta dhe erërave të forta, operacioni ka qenë veçanërisht i vështirë.

Gjatë ndërhyrjes janë hapur qindra metra transhe ndarëse, duke krijuar breza sigurie me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe pengimin e avancimit të zjarrit drejt sipërfaqeve të tjera.

Në zonat ku terreni ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë, ekipet kanë përdorur pompa shpine dhe mjete të tjera të lehta për shuarjen e vatrave aktive, si dhe për ftohjen e sipërfaqeve të prekura.

Sipas informacionit zyrtar, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur vënien nën kontroll të zjarrit dhe ndalimin e përparimit të mëtejshëm të flakëve.

Pavarësisht kontrollit të situatës, shërbimet zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për shkak të mundësisë së riaktivizimit të zjarreve.

Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë krijuar herë pas here kushte të favorshme për daljen e flakëve jashtë perimetrit të izoluar. Ndërkohë, vatrat e fshehura në brendësi të humusit, trungjeve dhe materialeve të thata mund të riaktivizohen edhe pas ndërhyrjeve për shuarjen e zjarrit.

Për këtë arsye, operacioni nuk konsiderohet i përfunduar me izolimin e flakëve, por kërkon monitorim të vazhdueshëm të terrenit dhe ndërhyrje të menjëhershme në rast të shfaqjes së vatrave të reja.

Deri në këtë fazë, pavarësisht vështirësive të operacionit, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa vëmendja e strukturave të emergjencave mbetet e përqendruar në parandalimin e përhapjes dhe riaktivizimit të zjarreve në zonat malore të qarkut të Elbasanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ndërpritet seanca për Ergys Agasin në GJKKO, avokatët kërkojnë kohë për t’u njohur me aktet. Ja kur pritet të rinisë

TIRANË , 28 gusht 2026/Albania Express News/-Është ndërprerë seanca...

Dinamo “digjet” në fund, ekipi i Ilir Dajës mposhtet nga Pafos dhe i thotë lamtumirë ëndrrës europiane

TIRANË , 27 gusht 2026/Albania Express News/-Dinamo është eliminuar...