Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit për Partinë Socialiste, Arbjan Mazniku, ka zhvilluar një takim me deputetët e qarkut dhe anëtarët e Asamblesë së Partia Socialiste e Shqipërisë në Elbasan, ku është shpallur nisja e një faze të re riorganizimi të strukturave socialiste.
Gjatë fjalës së tij, Mazniku theksoi se kjo fazë synon të sjellë më shumë energji në organizimin e partisë në terren, duke vendosur theks të veçantë te komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe rritja e rolit të të rinjve në strukturat drejtuese.

“Ndezim motorët në Elbasan. Së bashku me deputetët e qarkut dhe anëtarët e Asamblesë së PS, nisim një fazë të re riorganizimi të strukturave socialiste, me më shumë energji, më shumë dëgjim për secilin dhe më shumë hapësirë për të rinjtë,” u shpreh ai.
Mazniku nënvizoi gjithashtu rëndësinë e besimit të qytetarëve dhe përgjegjësinë që vjen prej tij, duke theksuar se puna në terren do të vijojë për të përmbushur pritshmëritë e çdo qytetari që mbështet Partinë Socialiste dhe integrimin europian të vendit.
“Me besim tek njerëzit dhe tek puna jonë, vijojmë përpara për të përmbushur pritshmëritë e çdo qytetari që ka besuar tek PS dhe tek rruga e Shqipërisë europiane,” shtoi ai.

Takimi në Elbasan vjen në kuadër të përgatitjeve dhe forcimit të strukturave të Partia Socialiste e Shqipërisë në nivel vendor, duke synuar një organizim më efikas dhe më pranë komunitetit.

