SHBA , 12 nëntor 2026/Albania Express News/-Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në zonën Logan Circle, në Washington DC, më pak se një milje larg Shtëpisë së Bardhë.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet policore gjatë një konference për shtyp, ku shefi i përkohshëm i Policisë së Washingtonit, Jeffrey W. Carroll, bëri të ditur se një nga viktimat ndërroi jetë në vendngjarje.
Katër personat e tjerë të plagosur janë transportuar në spital. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, ndërsa tre të tjerët kanë marrë plagë që, sipas informacioneve paraprake, nuk paraqesin rrezik për jetën.
Sipas policisë, ngjarja është raportuar pak para orës 08:00 me orën lokale. Forcat e rendit janë angazhuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendngjarje brenda 30 sekondave nga marrja e njoftimit.
Të shtënat ndodhën në ambientet dhe jashtë një qendre fitnesi, Vida Fitness, në zonën e Logan Circle. Dëshmitarët kanë treguar momentet e panikut, duke rrëfyer se fillimisht menduan se zhurma vinte nga një objekt që kishte rënë apo nga një top ushtrimesh që kishte shpërthyer.
Pas të shtënave, autori dyshohet se është barrikaduar brenda një ndërtese në bllokun 1500 të rrugës 15th Street NW, duke shkaktuar një situatë emergjente dhe mobilizimin e forcave të shumta policore.
Në vendngjarje kanë mbërritur dhjetëra automjete emergjence dhe efektivë nga disa agjenci ligjzbatuese, përfshirë FBI-në dhe Shërbimin e Sigurisë Kombëtare (HSI).
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën dhe të qëndrojnë larg vendngjarjes, ndërsa disa blloqe përreth janë rrethuar nga policia.
Deri në këto momente, identiteti i autorit dhe motivet e sulmit nuk janë bërë të ditura. Gjithashtu, autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

