Urdhri i ministrit Sofjan Jaupaj shfuqizon lejen mjedisore të tipit A, të dhënë në vitin 2016. Vendimi prek aktivitetet kryesore industriale të kompanisë në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.
TIRANË , 12 nëntor 2026 / Albania Express News /-Ministria e Mjedisit ka shfuqizuar lejen mjedisore të kompanisë turke Kurum International, për aktivitetin e saj industrial në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan.
Vendimi është marrë nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili më 3 nëntor 2026 ka firmosur urdhrin nr. 540, për shfuqizimin e lejes mjedisore të tipit A, të lëshuar për kompaninë në shtator të vitit 2016.
Vendimi prek një sërë aktivitetesh industriale të Kurum International, përfshirë prodhimin e çelikut, shkrirjen e metaleve, aktivitetin e fonderisë, përpunimin dhe saldimin e metaleve, si dhe prodhimin e gëlqeres.
Propozimi për shfuqizimin e lejes është paraqitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) dhe më pas është miratuar nga Ministria e Mjedisit.
Hetimi për 2 800 tonë mbetje të rrezikshme
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit vjen në një kohë kur kompania Kurum është prej afro dy vitesh nën hetim nga Prokuroria e Durrësit, lidhur me çështjen e një ngarkese prej 2 800 tonësh mbetje të dyshuara të rrezikshme.
Ngarkesa ishte nisur nga porti i Durrësit drejt Tajlandës, por më pas u kthye në Shqipëri, pas konstatimit të problematikave që lidhen me natyrën dhe rrezikshmërinë e materialeve të transportuara.
Në shkurt të vitit 2026, në kuadër të hetimeve për këtë çështje, Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 urdhërarreste, mes të cilëve edhe për persona që mbanin funksione shtetërore.
Heqja e lejes mjedisore përbën një zhvillim të rëndësishëm për aktivitetin industrial të Kurum në Elbasan, ndërsa çështja e mbetjeve të rrezikshme dhe përgjegjësive të mundshme për këtë transport vijon të jetë në vëmendjen e organeve të drejtësisë.

