BRITANI E BASHKUAR ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Prej 9 vitesh jeton e punon në Angli, më saktësisht në qytetin e Sunderland-it, ku po vijon rrugëtimin e saj artistik.
Po flasim për piktoren nga Durrësi, Keidi Sejdiu, e cila këto ditë ka hapur ekspozitën e saj të dytëtë personale, vetëm pak pasi mbylli ekspozitën e saj të parë.
Një jetë intensive në një vend të huaj, ku dita ndahet mes punës dhe telajos, ku marrin jetë tablotë.


Të jetosh në një vend të huaj nuk është aspak e lehtë, por gjërat komplikohen edhe më shumë kur një artist tenton që përmes artit të tij të lëjë një gjurmë në jetën e komunitetit ku po jeton.
Në një intervistë Keidi tregon sesa skrupoloze është gjatë procesit të krijimit, sesi ideohet fillimisht dhe më pas hidhet në telajo një pikturë, por edhe për kohën që i duhet artistes për ta konsideruar veten komplet të kënaqur për veprën e saj.


“Zakonisht punët i organizoj në bazë të tematikave, ku për secilën ide ndërtohen minimalisht një set prej 3-4 pikturash, të cilat janë në përmasa të njëjta. Dita e parë është thjesht hedhje e shpejtë e mbushje e kanavacës. Pas një ose dy ditësh fillon faza e konkretizimit të idesë dhe seanca e fundit për mbylljen e pikturës. Pastaj është faza, kur unë e vendos pikturën në mur dhe e shoh çdo ditë për të kuptuar nëse jam 100% e kënaqur me të. Ajo që dua unë si artiste është që kushdo që ka një pikturë timen në mur ta dashurojë atë çdo ditë të mos jetë një punë, që humb vlerat pas një farë kohe… Ndaj jam shumë kërkuese ndaj kësaj faze finale dhe shpeshherë punimet i firmos muaj më vonë”,- thotë ajo.
Por në procesin kompleks të realizimit të një pikture, Keidi pranon se nganjëherë është piktura ajo që udhëheq dorën e saj në telajo dhe jo e kundërta.
“Më ka ndodhur që punimet, që dua më shumë t’i kem krijuar në 20-30 minuta në një proces, ku emocionalisht nuk e kontrollon t’i pikturën, por piktura ty dhe është si një udhëtim në subkoshiencë, një eksperiencë që vetëm artisti mund ta përjetojë.. Por më ka ndodhur që edhe pas 3 viteve, pasi nuk kam qenë e bindur për pikturën në procesin për ta fshirë, kam gjetur rrugën për ta perfeksioniuar”.- thotë Sejdiu.

Gjatë intervistës, piktorja e talentuar rrëfen edhe për dy ekspozitat e saj të hapura përgjatë muajit qershor dhe korrik “QuietFaces” (Fytyra të heshtura) si dhe “Chromatica”. Të zbërthesh një shpirt artistik nuk është asnjëherë e lehtë, por Keidi, përmes rrëfimit të saj zbulon shumë, sepse siç shprehet dhe vetë: Piktura duhet të ndihet, jo të kuptohet!
E përmes portreteve, ngjyrave dhe teknikave të përdorura piktura e Keidit flet dhe rrëfen edhe pak nga shpirti i saj.
Ndodhesh prej vitesh tashmë në Angli, në Sunderland, sa e lehtë apo e vështirë është për një artist shqiptar të përshtatet fillimisht me jetën atje, por edhe të krijojë art?
Ndodhem prej 9 vitesh në Angli dhe në fillimet e mia e kam patur të vështirë të integrohem e te kuptoj sistemin anglez të galerive dhe të gjej veten në komunitetin e artistëve. Është shumë herë më e thjeshtë në Shqipëri të sigurosh një hapësirë apo një galeri për të hapur ekspozitë. Në Angli galeritë fillimisht të kërkojnë një punë për të testuar publikun e tyre, koleksionistët dhe tregun, pastaj të ofrojnë mundësinë e një ekspozimi të dytë e me radhë. Mirëpo duke shitur punët një e nga një nuk arrin të bësh një koleksion të plotë të krijimtarisë për të patur më pas një prezantim dinjitoz, ndaj mua më është dashur të pres për disa vite derisa të isha gati të shfaqesha për artdashësit në Angli.
Ke hapur dy ekspozita personale brenda një kohe shumë të shkurtër, si janë pritur ato nga artdashësit dhe komuniteti i artistëve?
Fillimisht unë u përzgjodha për të qenë pjesë e një galerie kolektive nga artistë të veriut të Anglisë e Skocisë. Një iniciativë personale që na bëri të ndërtojmë së bashku me një grup artistësh një galeri tonën, e cila ka patur një impakt shumë të madh në komunitet.
Në ekspozitën e parë kolektive të galerisë unë krijova një nga punët më të mira të ekspozitës dhe pata menjëherë një vëmendje edhe mediatike, pasi isha e vetmja e huaj që ekspozoja, por mbi të gjitha edhe pse tematika që kisha zgjedhur ishin minatorët dhe veriu i Anglisë ka një histori të gjatë përsa u përket minierave. Piktura sot pritet të vendoset në muzeun e qytetit. Ishte ky hapi i parë dhe pas saj unë rezervova ekspozitën “QuietFaces” (Fytyra të heshtura), për të cilën kisha punuar paralelisht për rreth 3 vjet.

Pata shansin që piktura origjinale nga artisti David Boëie të ekspozoheshin në të njëjtën hapësirë me ekspozitën time duke sjellë kështu mjaft vëmendje edhe të medias së shkruar dhe vizive për ditë me radhë e si pasojë ekspozita pati një promovim të gjerë duke bërë që të numërohen rreth 800 vizitorë vetëm në natën e parë. Ishte mundësia ime për të sjellë punime dhe një prezantim dinjitoz, për të prezantuar veten ashtu siç unë dëshiroja në pikturën time të errët dhe krejt ndryshe nga të tjerët. Menjëherë pas përfundimit të ekspozitës mu ofrua mundësia për një ekspozitë të dytë, e cila është aktualisht në galeri, është çelur pak ditë më parë, në fund të korrikut. Kështu një sukses çel një derë tjetër e me radhë.
Në ekspozitën e parë dominonin tablotë me imazhe kllounësh, pse kjo zgjedhje?
Krijimtaria ime ka qenë gjithmonë jo konvencionale, asnjëherë nuk kam ndjekur zërin e publikut, atë çka është sot në trend apo të bëj atë pikturë, e cila me siguri do të më sigurojë të ardhura. Ajo që të gjithë shohin në tablotë e mia të errëta është ajo silueta e kllounit dhe në subkoshiencë vjen një imazh i frikshëm. Në të vërtetë këto piktura janë një përjetim emocional e një luftë brenda vetes dhe identitetit tim të fshehur pas një buzëqeshjeje të kuqe. Qasja me realitetin, ku çdo gjë që shohim është një maskeradë e madhe filtrash, maskash dhe buzëqeshjesh pa identitet më ka ngacmuar për të pikturuar kllounët, pasi ne jetojmë në një cirk të madh, duke fshehur identitetin tonë dhe fytyrën tonë të vërtetë. Nga ana tjetër, unë jam vëzhguese shumë e mirë e detajeve, shpeshherë duke tejkaluar veten dhe vënë në fokus gjithkënd rreth meje kam kapur emocione, të cilat i kam mbërthyer në telajo në momentet, kur njerëzit kanë qenë duke parë brenda vetes. E nëse shohim brenda këtyre fytyrave të heshtura me buzëqeshje të pikturuar do të ndjejmë ekzistencën e heshtjes, dhimbjes, frikës, humbjes, trishtimit që vjen si një metaforë mbi jetën me pyetjet: Kush jemi ne? A jam unë këtu? A jam unë duke buzëqeshur me një klithmë brenda vetes?
Piktura duhet të ndihet, jo të kuptohet. Nuk ka nevojë për zbërthime dhe përshkrime, thjesht lejoje të komunikojë me ty, foli, observoje dhe tregoji historinë tënde e do kuptoni që jeni të ngjashëm… Ky ka qenë mesazhi i ekspozitës.
Po ekspozita e dytë ku është hapur, sa tablo janë ekspozuar dhe cila është tematika e tyre?


Ekspozita e dytë ishte një mundësi e imja për të bërë diçka tjetër nga filozofia dhe ngarkesa emocionale që mbarte e para. Janë të gjitha punime plot ngjyrë, dominuar nga flamingo dhe luledielli, të cilat vijnë të shoqëruara me poezi si një bashkëveprim i pikturës dhe poezisë, në renditje emocionale të fjalës dhe ngjyrës. Janë 3 grupe punimesh dhe rreth 20 tablo.
Kjo ekspozitë është ndërtuar në një hark kohor brenda dy javësh dhe është titulluar “Chromatica”, nisur nga kombinimet e ngjyrave, toneve dhe kontrasteve emocionale që paraqesin ato. E shoqëruar me muzikalitetin e rimave poetike, të cilat i dedikohen artit, pikturës, Keidit si artiste, ajo sjell copëza nga jeta e artistit, nga dialogu me artin dhe krijmtarinë.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen, a planifikon hapjen e ndonjë ekspozite edhe në Shqipëri?
Në këtë moment i jam dedikuar plotësisht pikturës duke qenë se kam luksin te jetoj vetëm dhe kohën time e ndaj midis punës dhe studios. Jam thuajse çdo natë e ulur para një kanavace dhe jam duke planifikuar e punuar për të shtrirë krijimtarinë time edhe në galeri të tjera, duke marrë pjesë në konkurse artistike dhe ekspozita kolektive. Deshira është shumë e madhe që të kem një prezantim edhe në Shqipëri e Kosovë dhe jam duke punuar në një projekt paralel./DurrësiLajm,M.B.

