Kamping gjigand te Bujtina KAEL në Dorëz të Librazhdit, të rinj nga Shqipëria dhe Europa përjetojnë magjinë e turizmit malor

NGA FATMIR POPJA

LIBRAZHD ,20 qershor 2026 / Albania Express News / Në zemër të natyrës së virgjër të Librazhdit, aty ku mali,  pylli dhe qielli bashkohen në një panoramë mahnitëse, Bujtina KAEL në fshatin Dorëz u shndërrua këtë fundjavë në epiqendrën e një prej aktiviteteve më të veçanta turistike të sezonit veror. Dhjetëra e dhjetëra grupe rinore nga zona ,Shqipëria dhe vende të ndryshme europiane ngritën çadra në një kamping gjigand përreth bujtinës më të famshme të Librazhdit, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme miqësie, aventure dhe dashurie për natyrën.

Mbrëmjen e së premtes dhe të shtunën e këtij mes qershori ,zona përreth Bujtinës KAEL u mbush me energjinë , buzëqeshjen , gëzimin , lumturinë dhe humorin e të rinjve , familjeve, turistëve të apasionuar pas eksplorimit dhe vizitorëve që kishin zgjedhur të kalonin dy ditë e net të paharrueshme nën qiellin e pastër të zonës ku shtrihet Parku Kombëtar i Shebenikut. Nën dritën e yjeve dhe mes ajrit të freskët malor, kampingu mori përmasa mbresëlënëse, duke u kthyer në një model të shkëlqyer të promovimit të turizmit të qëndrueshëm malor dhe aktiviteteve në natyrë.

Një nga organizatorët kryesorë të eventit , e përshkroi atmosferën si “mahnitëse dhe të paharrueshme”, duke theksuar se ky aktivitet i organizuar në Bujtinën KAEL synon të afrojë të rinjtë edhe më shumë me natyrën, astronominë, shkencën dhe vlerat e turizmit ekologjik dhe astronomik. Sipas tij, interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, me pjesëmarrës që kanë udhëtuar nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vende europiane, për të qenë pjesë e kësaj eksperience unike.

Ai ka vlerësuar mbështetjen e jashtëzakonshme në organizimin e këtij eventi promovues të turizmit malor ,  të çiftit Klodian dhe Eranda Hidri që janë edhe pronarët e Bujtinës KAEL në Dorëz të Librazhdit .Sipërmarrja e tyre hapi dyert e saj  këtë  fundjavë qershori duke dhënë një shembull të shkëlqyer jo vetëm si promovues të destinacioneve të turizmit malor të bashkisë së Librazhdit , por edhe  si promovues të traditave , historisë , kulturës ,zakoneve , trashëgimisë dhe jetës rurale në kohën e sotme .

Bujtina KAEL, krenaria e agroturizmit shqiptar

Në qendër të gjithë këtij organizimi qëndron Bujtina KAEL, një nga investimet më të suksesshme në fushën e agroturizmit në Shqipëri. E vendosur në një prej zonave më të bukura të Bashkisë së Librazhdit, pranë rrugës që lidh qytetin me fshatin Dorëz dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut, kjo bujtinë është kthyer në një simbol të mikpritjes shqiptare dhe të turizmit malor cilësor.

Vetëm pak vite pas hapjes së saj, fama e Bujtinës KAEL i ka kapërcyer kufijtë lokalë dhe rajonalë. Prej më shumë se dy vitesh ajo është bërë një destinacion ndërkombëtar, duke tërhequr turistë nga vende të ndryshme të botës, shumë prej të cilëve e konsiderojnë tashmë si një nga destinacionet më të bukura të Ballkanit për pushime në natyrë .

Me arkitekturën e saj elegante dhe harmoninë perfekte me peizazhin përreth, Bujtina KAEL ofron ambiente akomodimi moderne dhe komode, ku tradita shqiptare ndërthuret në mënyrë të shkëlqyer me standardet bashkëkohore të turizmit. Çdo dhomë është arreduar me kujdes dhe shije, ndërsa ambientet e përbashkëta të saj janë një udhëtim në histori. Vizitorët mund të admirojnë objekte të rralla tradicionale, vegla pune të përdorura ndër breza, orendi karakteristike dhe elementë të trashëgimisë kulturore që sot janë të vështira për t’u gjetur edhe në muze të njohur.

Por ajo që e bën KAEL-in vërtet të veçantë është mikpritja. Shërbimi profesional, gatimet tradicionale të zonës, produktet bio, pijet karakteristike dhe atmosfera familjare e kanë shndërruar këtë bujtinë në një destinacion të preferuar për turistët elitarë gjatë të katër stinëve të vitit.

Nga rruga historike në një korridor të ri turistik

Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj zone ka luajtur edhe infrastruktura. Rruga e asfaltuar që të çon drejt Bujtinës KAEL dhe Parkut Kombëtar të Shebenikut është sot një nga elementët kyç që ka nxitur zhvillimin turistik.

Dikur kjo ishte një rrugë që përshkohej vetëm në këmbë nga banorët e zonës. Sot ajo është transformuar në një aks modern, duke i dhënë mundësi vizitorëve të arrijnë lehtësisht deri në afërsi të një prej perlave natyrore të Shqipërisë. Për banorët, kjo rrugë mbetet një dëshmi e historisë dhe sakrificave të së kaluarës, ndërsa për turistët është porta hyrëse drejt një aventure të paharrueshme në zemër të natyrës.

Një eksperiencë e plotë mes natyrës, kulturës dhe yjeve

Kampingu nuk është vetëm një aktivitet nate. Gjatë qëndrimit të tyre, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në një sërë aktivitetesh të organizuara që përfshijnë ecje në shtigjet malore të Shebenikut, degustim të kuzhinës tradicionale, netë me muzikë akustike pranë zjarrit të kampit, tregje artizanale, diskutime mbi ekologjinë dhe rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.Gjatë fundjavës në Bujtinën KAEL me dhjetra të rinjve nga Star Campers Albania ju mundësua të eksploronin qiellin me teleskop duke parë nga afër planetet, Hënën dhe yjet në një eksperiencë unike të turizmit astronomik .

Për shumë të huaj që po vizitojnë për herë të parë Shqipërinë, kjo përvojë përfaqëson kontaktin e parë jo vetëm me kulturën shqiptare, mikpritjen dhe pasuritë natyrore të vendit , por edhe me shumë surpriza të tjera të këndshme duke marrë me vete kujtime që, sipas tyre, do ti mbajnë gjatë në memorien e tyre.

Në një kohë kur turizmi po orienton gjithnjë e më shumë vizitorët drejt eksperiencave autentike, Bujtina KAEL po dëshmon se Librazhdi dhe zona e Shebenikut kanë potencialin për t’u kthyer në një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit malor në Shqipëri dhe më gjerë.

Kampingu gjigand i këtyre ditëve është prova më e qartë se kur natyra, vizioni dhe mikpritja bashkohen, lindin histori suksesi që i japin jetë një rajoni të tërë dhe e vendosin atë në hartën europiane të turizmit.

Screenshot

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME