GJIROKASTËR ,19 qershor 2026 /Albania Express News /“Kur mungon fjala, heshtja nuk është gjithmonë paqe. Ndonjëherë është vendi ku fillon dhuna.”
Ky mesazh i fortë dhe thellësisht prekës u përcoll nga studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” përmes shfaqjes dramatike “Kur mungon fjala”, e vënë në skenën e Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër.

Përmes interpretimit të tyre, të rinjtë sollën para publikut histori që pasqyrojnë realitete të dhimbshme, por ende të pranishme në shumë familje, duke trajtuar tema të ndjeshme si dhuna në familje, pasojat e heshtjes dhe rëndësinë e guximit për të folur. Shfaqja nuk synoi vetëm të emocionojë spektatorët, por edhe të nxisë reflektim dhe ndërgjegjësim mbi përgjegjësinë që ka secili individ për të mos qëndruar indiferent përballë dhunës.
Një nga momentet më të veçanta të kësaj drame ishte pjesëmarrja si aktore e gazetares së mirënjohur të News24 , Brikena Metaj Xhani, e cila u ngjit në skenë në një rol ndryshe nga ai që publiku është mësuar ta shohë.

Dy ditë para shfaqjes, ajo kishte ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale emocionet e kësaj eksperience, duke shkruar se kishte histori që nuk kishin nevojë për efekte të mëdha skenike për të prekur zemrat e njerëzve, por mjaftonte të ishin të vërteta.
“Është një përvojë ndryshe për mua, këtë herë jo pas mikrofonit apo kamerës, por në një rol që më ka bërë të reflektoj gjatë për realitete që fatkeqësisht vazhdojnë të ekzistojnë mes nesh”, shprehej ajo, duke treguar përkushtimin ndaj një kauze që prek drejtpërdrejt shoqërinë.

Në përfundim të aktivitetit, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, përgëzoi studentët për angazhimin, profesionalizmin dhe mesazhin e rëndësishëm që përcollën përmes artit. Ai vlerësoi teatrin si një mjet të fuqishëm edukimi dhe sensibilizimi, i aftë të sjellë në vëmendje problematika sociale dhe të nxisë diskutim e ndërgjegjësim në komunitet.
Shfaqja “Kur mungon fjala” u realizua me mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Universitetin “Eqrem Çabej”, duke dëshmuar se arti dhe angazhimi qytetar mund të bashkohen për të dhënë mesazhe të forta kundër dhunës dhe në mbrojtje të dinjitetit njerëzor.
Një mbrëmje që tregoi se ndonjëherë fjala e thënë në kohën e duhur mund të jetë hapi i parë drejt ndryshimit.


