NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD ,15 qershor 2026/Albania Express News/Ish-stacioni i sharrave në Qarrishtë të Librazhdit dëshmoi edhe një herë se është shndërruar në një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit malor në Shqipëri, duke fituar vit pas viti vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.Në këtë perlë turistike e cila ndodhet në Parkun Kombëtar të Shebenikut, mes pyjeve shekullore, burimeve të kristalta dhe ajrit të pastër që të mbush mushkëritë me jetë, u zhvillua edhe këtë vit festa tradicionale “Jehona e Maleve të Kuqe”, një aktivitet që tashmë është kthyer në simbol të promovimit të turizmit, trashëgimisë natyrore dhe identitetit kulturor të kësaj treve.

Atmosfera festive bëri bashkë si gjithmonë qindra banorë, emigrantë të rikthyer për pushime, turistë vendas e të huaj, të cilët u bënë pjesë e një dite të mbushur me emocione, muzikë tradicionale, valle popullore, gatime karakteristike dhe takime që ringjallën kujtime të paharruara.
Një festë që bashkon njerëzit dhe ruan identitetin
Nën moton “Jehona që s’shuhet, kujtesa që rri zgjuar përjetë”, në Qarrishtë u valëvitën flamujt kombëtarë, u ekspozuan kostume tradicionale dhe u panë përqafime plot mall mes familjarëve, miqve dhe bashkëfshatarëve që nuk ishin takuar prej shumë vitesh.

Për emigrantët, kjo nuk ishte vetëm një festë folklorike, por një rikthim emocional në vendlindje.
“Ne nuk kemi vetëm male e pyje të bukura. Kemi histori, kemi traditë, kemi besë dhe kemi zemër. Kush vjen një herë këtu, largohet me dëshirën për t’u kthyer sërish.” u shpreh me krenari një banor i zonës.Ndërsa një tjetër shtoi ,
“Qarrishta nuk është vetëm vendi ku kemi lindur. Është identiteti ynë. Është kujtesa jonë dhe amaneti që duam t’ua lëmë brezave që vijnë.”
Nga sektori i dikurshëm i sharrave në simbol të bashkimit
Një nga mesazhet më domethënëse të festës ishte kujtesa për historinë e kësaj zone.
“Dikur këtu ushtonte zhurma e sharrave dhe puna e njerëzve. Sot dëgjohen këngët, vallet dhe zërat e fëmijëve. Ky është transformimi më i bukur që mund të përjetojë një komunitet”.Shpresojmë që bashkia e Librazhdit e cila është e fokusuar te zhvillimi i turizmit malor të kujdeset edhe për infrastrukturën rrugore.Është emergjente ndërtimi i saj me standarte dhe më shpejt pasi do rikthejë mjaft nga familjet e larguara dhe do e kthejë Qarrishtën në një qytezë të turizmit malor.
Një tjetër banor tha me emocion:
“Ky vend nuk është më thjesht një pikë në hartë. Është zemra ku rrahin kujtimet tona dhe vendi ku çdo verë rikthehet shpirti i të gjithë banorëve të dikurshëm të Qarrishtës.”
Bashkëpunimi që sjell harmoni , gëzim e zhvillim
Festa ashtu si edhe vitin e kaluar u organizua nga shoqatat vendore të Qarrishtës, Dorëzit, Librazhd Katundit dhe Dragostunjës, me mbështetjen e Njësisë Administrative Qendër dhe ADZM Elbasan.
Ky bashkëpunim dëshmoi edhe një herë se kur komuniteti, institucionet dhe shoqatat bashkojnë forcat, trashëgimia kulturore dhe potencialet turistike marrin një dimension krejt tjetër.

Një perlë turistike që po mahnit botën
Parku Kombëtar i Shebenikut po fiton nga viti në vit interes gjithnjë e më të madh nga turistët e huaj.
Sipas Fatmir Brazhdës dhe Ardit Kullafit ,inxhinierë të kësaj zone dhe personalitete me kontribute të çmuara për promovimin e destinacioneve turistike , numri i vizitorëve ndërkombëtarë në bashkinë e Librazhdit është në rritje të vazhdueshme, ndërsa bukuritë natyrore të zonës po promovohen përtej kufijve të Shqipërisë.
Mes vizitorëve të shumtë këtë vit ishte edhe familja Montgomery nga Karolina e Jugut në Shtetet e Bashkuara.

Elain Montgomery u shpreh:
“Jam nga Karolina e Jugut. Kjo është vajza ime Naomi dhe bashkëshorti im Benet. Jemi shumë të lumtur që ndodhemi në këtë vend kaq të bukur. Mirënjohja jonë për shqiptarët është e madhe, sepse kemi gjetur njerëz me zemër të madhe dhe mikpritje të jashtëzakonshme.”
Naomi Montgomery tha:
“Po më pëlqen shumë Shqipëria. Është një vend i mrekullueshëm, por ajo që të mbetet më shumë në zemër janë njerëzit.”
Ndërsa Benet Montgomery u shpreh:
“Për mua është vizita e parë në Shqipëri dhe jam vërtet i impresionuar. Natyra është spektakolare, por edhe më të jashtëzakonshëm janë njerëzit. Ndihem sikur kam ardhur mes miqsh të vjetër.”
Po aq mbresëlënëse ishin edhe përshtypjet e turistëve nga Izraeli, Gjermania, Suedia dhe vende të tjera, të cilët e cilësuan Shebenikun si një destinacion ende të paprekur, autentik dhe me një bukuri që rrallë gjendet në Europë.
Një rrugëtim që bëhet vetë destinacion
Për shumë vizitorë, ngjitja drejt Qarrishtës ishte një eksperiencë më vete.
Rruga që përshkon pyje të dendura, burime malore dhe panorama spektakolare të krijon ndjesinë se çdo kilometër të largon nga zhurma e botës moderne dhe të afron me një univers ku natyra sundon e paprekur.
Pamjet mahnitëse, qetësia, cicërimat e zogjve dhe gjelbërimi i pafund e bëjnë udhëtimin po aq të bukur sa edhe destinacionin.
Historia që jeton mes maleve
Qarrishta njihet prej kohësh si toka e fjalës dhe e besës.
Kjo trevë mbart një histori të pasur dhe një rol të rëndësishëm në strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ruajtur me krenari një nga vlerat më fisnike të shqiptarëve: besën dhe humanizmin.
Këto virtyte vazhdojnë të jetojnë edhe sot në mikpritjen e banorëve dhe në respektin që ata tregojnë ndaj çdo vizitori.
Një mesazh për të ardhmen
Në atmosferën festive ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për promovimin e potencialeve turistike të zonës dhe për forcimin e lidhjeve me emigrantët që rikthehen çdo verë në vendlindje.
Në të vërtetë, “Jehona e Maleve të Kuqe” është shumë më tepër se një aktivitet kulturor. Është një dëshmi e gjallë se natyra, historia dhe traditat shqiptare mund të shndërrohen në motor zhvillimi ekonomik, turistik dhe social.
Dhe ndërsa jehona e këngëve shuhet ngadalë mes maleve të Shebenikut, mbetet një mesazh i qartë: Qarrishta nuk është thjesht një destinacion për t’u vizituar. Është një përvojë që të prek shpirtin, një vend që të fton të rikthehesh dhe një kujtim që mbetet gjatë në memorien e çdo vizitori.


