TIRANË, 16 qershor 2026 /Albania Express News/ Fermerët që ushtrojnë aktivitet në bujqësinë organike mund të aplikojnë deri më 26 qershor për të përfituar mbështetje financiare në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2026.
Masa 6 e kësaj skeme i kushtohet mbështetjes së fermave organike, me qëllim nxitjen e prodhimit sipas standardeve të certifikuara organike, rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit dhe promovimin e praktikave bujqësore të qëndrueshme.
Sipas skemës, fermerët përfitues mbështeten financiarisht në varësi të fazës së certifikimit. Vlera e mbështetjes është 100 mijë lekë për vitin e parë të certifikimit, 150 mijë lekë për vitin e dytë dhe 150 mijë lekë për vitin e tretë.
Ndërkohë, për fermat e certifikuara organike, mbështetja arrin në 200 mijë lekë.
Skema synon të inkurajojë zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara me metoda organike, rritjen e cilësisë së produkteve bujqësore dhe përmbushjen e standardeve që kërkohen në tregjet vendase dhe ato ndërkombëtare.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural bën thirrje që fermerët e interesuar të paraqesin aplikimet brenda afatit të përcaktuar, deri më 26 qershor, për të përfituar nga fondet e vëna në dispozicion në kuadër të mbështetjes së sektorit bujqësor.

