TIRANË ,18 qershor 2026/Albania Express News/Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) synon të nënshkruajë brenda këtij viti tre kontrata të reja për vijimin e ndërtimit të Korridorit VIII në segmentin Elbasan–Lekaj, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Sipas të dhënave zyrtare, fondet për këto kontrata janë parashikuar në buxhetin e vitit aktual, duke garantuar vazhdimësinë e punimeve dhe lidhjen e këtij aksi me autostradën Adriatiko–Joniane.
Ndërkohë, për përmbylljen e plotë të segmentit do të nevojitet edhe nënshkrimi i tre kontratave të tjera, të cilat sipas planifikimeve të ARRSH-së pritet të formalizohen në fund të vitit 2027.
Çdo kontratë do të ketë një afat realizimi prej 24 muajsh, çka do të thotë se, nëse punimet ecin sipas parashikimeve, i gjithë segmenti Elbasan–Lekaj i Korridorit VIII pritet të përfundojë brenda vitit 2029.
Aksi rrugor Elbasan–Lekaj shtrihet përgjatë ultësirës së luginës së lumit Shkumbin, duke lidhur qytetin e Elbasanit me zonën pranë grykëderdhjes së lumit. Traseja kalon përmes disa njësive dhe qendrave të banuara në qarqet e Elbasanit, Peqinit dhe Kavajës, përfshirë Bradasheshin, Shirgjanin, Gjergjanin, Cërrikun, Paprin, Pajovën, Shezin, Gjocajn, Peqinin, Karinenë, Sinaballajn dhe Rrogozhinën.
Aktualisht, punimet janë duke u zhvilluar në gjashtë lote, të cilat mbulojnë rreth 20 kilometra nga gjatësia totale prej 40.7 kilometrash të këtij segmenti. Kjo nënkupton se gjashtë kontratat e tjera të planifikuara do të mbulojnë ndërtimin e afro 21 kilometrave të mbetur.
Sipas afateve të kontratave ekzistuese, 20 kilometrat e parë të rrugës pritet të përfundojnë në muajin dhjetor të këtij viti. Autoritetet rrugore e konsiderojnë këtë objektiv të realizueshëm, duke shprehur besimin se punimet po ecin sipas ritmeve të planifikuara.
Përfundimi i segmentit Elbasan–Lekaj konsiderohet një hallkë kyçe për funksionalizimin e plotë të Korridorit VIII, një projekt strategjik që synon të përmirësojë ndjeshëm lidhjet rrugore mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, si dhe të rrisë qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve përgjatë këtij korridori ndërkombëtar.

