NGA FATMIR POPJA
ELBASAN ,19 qershor 2026 /Albania Express News/AF Elbasani ka nisur zyrtarisht përgatitjet për një nga sezonet më të rëndësishme në historinë e klubit, atë që do të shënojë edhe aventurën e parë europiane të verdhebluve. Drejtuesit e klubit kanë vendosur që faza përgatitore verore të zhvillohet në Serbi, duke zgjedhur kompleksin sportiv të Zlatiborit si bazën ku skuadra do të punojë intensivisht përpara nisjes së sezonit të ri.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç do të qëndrojë në Zlatibor nga data 22 qershor deri më 2 korrik. Gjatë kësaj periudhe, futbollistët do t’i nënshtrohen një programi të ngjeshur stërvitor, me synimin për të arritur formën optimale fizike dhe taktike në prag të ndeshjeve europiane dhe kampionatit të ri.
Përveç seancave intensive stërvitore, AF Elbasani ka planifikuar edhe tre ndeshje miqësore me kundërshtarë të ndryshëm të rajonit. Testi i parë do të zhvillohet më 24 qershor ndaj skuadrës malazeze Sutjeska Niksiç. Tre ditë më vonë, më 27 qershor, verdheblutë do të përballen me Deiçiqin, ndërsa sfida e fundit kontrolluese është programuar për datën 1 korrik kundër ekipit serb FK Zemun. Këto ndeshje pritet t’i shërbejnë stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e grupit dhe për të përcaktuar formacionin ideal për ndeshjet zyrtare.
Entuziazmi në kampin elbasanas është i madh, pasi skuadra do të marrë pjesë për herë të parë në kompeticionet europiane. Shorti i turit të parë të Ligës së Konferencës ka qenë relativisht i favorshëm për AF Elbasanin, duke i vendosur përballë skuadrës bjelloruse BATE Borisov.
Megjithëse BATE Borisov konsiderohet një emër i madh në futbollin e Europës Lindore, me një histori të pasur në garat ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, aktualisht klubi po kalon një nga periudhat më të vështira të historisë së tij. Skuadra bjelloruse renditet në vendin e 14-të në kampionatin vendas dhe po përballet me rrezikun real të rënies nga kategoria, një situatë që ka ndryshuar ndjeshëm statusin e saj krahasuar me vitet e lavdishme.
Kjo ka bërë që shumë analistë sportivë ta konsiderojnë AF Elbasanin si një nga skuadrat më me fat të Abissnet Superiore në shortin e kompeticioneve europiane. Megjithatë, në kampin verdheblu mbizotëron kujdesi maksimal, pasi eksperienca dhe emri i BATE Borisov mbeten faktorë që kërkojnë respekt të plotë.
Me përgatitjet që do të zhvillohen në Zlatibor dhe me një seri testesh të rëndësishme miqësore, AF Elbasani synon të paraqitet sa më konkurrues në debutimin e tij historik në arenën europiane, duke synuar të shkruajë një kapitull të ri të suksesshëm për futbollin elbasanas.

