Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, në një deklaratë nga Zyra Ovale, ka shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e disa barnave dhe vaksinave në shëndetin e fëmijëve. Ai veçoi përdorimin e Tylenol (acetaminofen) gjatë shtatzënisë si një faktor të mundshëm rreziku për zhvillimin e autizmit.
I shoqëruar nga Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., Presidenti deklaroi se Departamenti i Shëndetësisë do të lëshojë udhëzime të reja për profesionistët e mjekësisë, duke i informuar ata mbi rreziqet e mundshme të acetaminofenit gjatë shtatzënisë.
“Ka një lidhje të mundshme mes përdorimit të Tylenol nga gratë shtatzëna dhe rritjes së rasteve me autizëm tek fëmijët,” tha Trump, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe kujdes në përshkrimin e medikamenteve për gratë shtatzëna.
Ai gjithashtu ngriti dyshime mbi efektet anësore të disa vaksinave dhe medikamenteve të tjera, duke përmendur komunitetin Amish si shembull: “Në komunitetin Amish nuk kemi raste autizmi,” u shpreh Presidenti, duke nënkuptuar një lidhje të mundshme mes stilit të jetesës dhe mungesës së diagnostikimeve të këtij çrregullimi.